UKRAINË – Dhjetëra viktima pas sulmeve ruse
KIEV, 8 tetor /ATSH-DPA/ – Të paktën 34 persona u vranë sot nga sulmet ruse në disa pjesë të Ukrainës, përfshirë një sulm ndaj një autobusi në qytetin lindor të Kramatorskut dhe sulme me dronë ndaj kryeqytetit Kiev, njoftuan autoritetet ukrainase.
Sulmet dëmtuan rëndë edhe infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone dhe probleme me furnizimin me ujë në pjesë të Kievit.
Në kryeqytet u vendosën kufizime emergjente të energjisë, ndërsa autoritetet paralajmëruan ndërprerje të tjera gjatë së premtes.
Zëvendësministri i Energjisë, Artem Nekrasov, tha se bombardimet ruse kishin shkaktuar rënie të tensionit në rrjetin e linjave të tensionit të lartë.
Si pasojë, pompat e furnizimit me ujë në disa zona të Kievit ndaluan së funksionuari.
Ndërprerje të energjisë u raportuan gjithashtu në rajonet e Sumy, Kharkiv, Donetsk dhe Zaporizhzhya, ku ekipet po punojnë për rikthimin e furnizimit aty ku situata e sigurisë e lejon.
Ukraina pret që sulmet ruse ndaj rrjetit energjetik të shtohen me ardhjen e dimrit, i pesti që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë në shkurt 2022.
Gjatë vitit të fundit, Ukraina ka riparuar disa centrale dhe ka shtuar kapacitetet e vogla e të decentralizuara të prodhimit të energjisë, por rrjeti pritet të përballet sërish me presion të madh gjatë muajve të ftohtë.
Në Kramatorsk, të paktën 30 persona u vranë dhe 18 të tjerë u plagosën kur një sulm rus goditi një autobus.
Guvernatori i Donetskut, Vadym Filashkin, publikoi pamje të autobusit të djegur dhe u bëri thirrje banorëve që ende qëndrojnë në rajon të largohen drejt zonave më të sigurta të Ukrainës.
Kramatorsku është pjesë e të ashtuquajturit “brez i fortesave” ukrainase, i cili prej muajsh po përballet me luftime dhe sulme të rënda./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.