LIMA – Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,7 godet jugun e Perusë
LIMA, 20 gusht /ATSH – AA/ – Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së (USGS), një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6,7 goditi jugun e Perut pasditen e sotme, duke aktivizuar alarmet në disa rajone.
Ndërkohë, Instituti Gjeofizik i Perut (IGP) raportoi një magnitudë prej 7,2 ballësh.
Tërmeti ndodhi në orën 13:00 me kohën lokale, në një thellësi prej 108 kilometrash. Sipas Qendrës Kombëtare Sizmologjike (CENSIS) të IGP-së, epiqendra ndodhej rreth 35 kilometra në veri të Coracoras, në provincën Parinacochas, brenda departamentit Ayacucho.
Pavarësisht magnitudës së lartë, autoritetet e vendit dhe agjencitë për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë nuk raportuan menjëherë viktima apo dëme të rënda strukturore.
Gjeofizikanët thanë se thellësia prej 108 kilometrash ndihmoi në absorbimin e një pjese të madhe të energjisë sizmike përpara se ajo të arrinte në sipërfaqe, duke rezultuar në një intensitet prej III-IV sipas shkallës Mercalli (lëkundje të lehta deri mesatare) pranë epiqendrës.
Tërmeti u ndje qartë në pjesën jugore dhe qendrore të Perut, ndërsa lëkundje u raportuan nga banorët deri në kryeqytetin Lima.
Ngjarja vjen pas një periudhe me aktivitet të shtuar sizmik në rajonet veriore dhe jugore të vendit. Në dritën e lëkundjeve të fundit, IGP-ja u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë, të rishikojnë planet familjare të evakuimit dhe të mbajnë gati pajisjet dhe furnizimet për raste emergjente.
Peru përjeton aktivitet të shpeshtë sizmik për shkak të pozicionit të saj në „Unazën e Zjarrit të Paqësorit“. Një nga tërmetet më shkatërruese të dekadave të fundit ndodhi në vitin 2007, kur një tërmet me magnitudë 7,9 goditi kryesisht rajonin Ica dhe la të vdekur afro 600 persona.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.