Lista e votuesve kalon në “sitën” e 3 kompanive IT-je
Pas vendimit të partive të koalicionit qeverisës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill, e sidomos mes shqetësimeve se opozita mund ta bojkotojë këtë proces, 3 ekipe të veçanta në Maqedoni, ku përfshihen edhe ekspertë të IT-së, do të verifikojnë imtësisht të dhënat e zgjedhësve për të përcaktuar saktë kush është gjallë e kush është ende në vend, në mënyrë që të shihet nëse plotësojnë kushtet për të votuar.
Dy ekipe do të drejtohen nga kompani kompetente lokale IT-je dhe njëra nga një kompani ndërkombëtare, sqaroi kreu i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Cicakovski.
Gjithmonë duke cituar zyrtarin në fjalë, agjencia investigative “BIRN” thotë se, të dhënat e zgjedhësve do të merren nga regjistra të ndryshëm institucionalë, nisur nga ai i Bankës Qendrore, Fondit të Shëndetit, Agjencia e Punësimit, Agjencia Kadastrale, Zyra e të Ardhurave Publike, e të tjera.
Megjithatë, socialdemokratët në opozitë i konsiderojnë të tilla masa si “të pamjaftueshme” e këmbëngulin për një kontroll më të plotë e gjithëpërfshirës të votuesve. Pretendimi i tyre është të shkohet “derë më derë”.
Mënyra sesi do të kryhen kontrollet në terren do të përcaktojë në masë të madhe, nëse LSDM-ja do të marrë pjesë në zgjedhje, apo do të vendosë ta bojkotojë procesin.
Menjëherë pas vendimit të partnerëve të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE dhe BDI, për të mos lejuar shtyrjen e zgjedhjeve të 24 prillit, Parlamenti i Maqedonisë miratoi dorëheqjen e kryeministrit, Nikola Gruevski, 100 ditë para votimeve. Dorëheqja e tij erdhi si pasojë e skandalit të përgjimeve, të bërë publik nga opozita maqedonase në fillim të vitit të kaluar.