LIVE – Protesta në ditën e gjashtë nis grumbullimi te Ministria e Arsimit. Rama: Shteti nuk dorëzohet para dhunës
Ka nisur këtë të diel në Tiranë protesta e gjashtë studentore kundër qeverisë. Protestuesit janë mbledhur rreth orës 12:30 para Ministrisë së Arsimit.
Më herët, në mëngjes, kryeministri Edi Rama deklaroi në një komunikim të drejtpërdrejtë se shteti nuk do të tërhiqet përballë dhunës gjatë protestave.
Ai u bëri thirrje studentëve që kërkojnë dialog të takohen me të në Kryeministri, në fakultet apo në një format tjetër komunikimi.
“Kush do të flasë me mua pa maskë më ka këtu, kush do të më çojmë mesazh me maskë mua dhe shtetin më ka përballë. Kjo që po ndodh, Shqipërinë do ta nxjerrë më të fortë”, tha Rama mes të tjerave.
Ka nisur grumbullimi i protestuesve para Ministrisë së Arsimit, në ditën e gjashtë të protestës së studentëve, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.
Edhe këtë të diel, të rinjtë janë mbledhur pranë institucionit, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Një prej pjesëmarrësve, në shenjë revolte, grisi certifikatën e marrë si fitues i Olimpiadës së Historisë.
Përpara këtij veprimi, i riu u bëri thirrje i bëri thirrje policisë të mos ushtrojë dhunë ndaj studentëve ndërsa u kërkoi edhe këtyre të fundit të mos përdorin dhunë ndaj policisë.
Kryepeshkopi Joan, në përfundim të Liturgjisë Hyjnore të ditës së sotme, bëri thirrje që të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimmarrjes të marrin vendime të urta dhe të pjekura, në shërbim të vendit.
“Lutemi që Perëndia t’i ndriçojë të gjithë ata që kanë përgjegjësinë e vendimeve, të marrin vendime të urta dhe të pjekura në shërbim të të gjithë vendit. Sepse Shqipëria është e të gjithëve. Të gjithë ata që banojnë këtu janë pjesë e saj dhe të gjithë kanë të drejtën për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Prandaj, i lutemi Zotit që të ndriçojë mendjet për të marrë vendimet e duhura dhe shpresojmë që lutjet e të drejtëve Perëndia do t’i dëgjojë”, theksoi Kryepeshkopi Joan.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në Tiranë pas protestave të shoqëruara me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Schieder u ka bërë thirrje palëve të ndalin menjëherë përshkallëzimin e situatës, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, pavarësisht se nga kush ushtrohet.
Reagimi i Andreas Schieder
Në të gjithë Europën, të rinjtë po dalin në rrugë, nga Parisi dhe Berlini deri në Tiranë. Ata po luftojnë për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është e drejtë dhe e nevojshme, dhe duhet t’i nxisë qeveritë të rishikojnë qasjen e tyre. Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve.
Megjithatë, dhuna nuk është kurrë zgjidhje, pavarësisht nëse vjen nga individë të dhunshëm që depërtojnë në protesta apo nga shteti dhe policia.
Si raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë, jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit.
Në prag të protestës së gjashtë në Tiranë, disa institucione kanë marrë masa shtesë sigurie, duke blinduar dyert dhe dritaret për t’u mbrojtur nga sulme të mundshme.
Një ditë pasi protestuesit i vunë flakën, Gjykata e Lartë ka vendosur mbrojtëse metalike në dritare, me qëllim parandalimin e dëmtimeve në rast të përsëritjes së incidenteve të dhunshme.
Të njëjtat masa janë marrë edhe në Ministrinë e Arsimit, ku hyrja është blinduar me struktura hekuri për të parandaluar hedhjen e molotovëve dhe sendeve të tjera të forta në drejtim të godinës.
Ministria e Arsimit ka qenë një nga institucionet e shënjestruara gjatë ditëve të fundit të protestave, ku janë regjistruar akte dhune dhe dëmtime të pronës.
65 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së zhvilluar më 17 tetor 2026 në Tiranë, ndërsa 12 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës.
Sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Shëndetësisë, mes të lënduarve janë 37 efektivë të Policisë, 24 protestues dhe 4 kalimtarë, mes të cilëve edhe një i mitur.
Ndërkohë, numri i përgjithshëm i personave të lënduar gjatë pesë ditëve të protestave në kryeqytet ka arritur në 272.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se shteti nuk do të tërhiqet përballë dhunës gjatë protestave, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që kërkojnë dialog të takohen me të në Kryeministri, në fakultet apo në një format tjetër komunikimi.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë nga zyra e tij në Kryeministri, Rama iu drejtua edhe të rinjve që, sipas tij, marrin pjesë në protesta pa pasur si qëllim përdorimin e dhunës, por që përballen me persona të maskuar dhe mjete të forta në radhët e protestuesve.
“Nuk ndodh të dorëzohet shteti përpara kësaj, se nuk e merr veten me vite. Ftoj këdo që do të bëjë dialog, këdo që do të më takojë, këdo që do të flasë me kamera pa kamera me fotografi pa fotografi, në kryeministri, në fakultet, çfarë doni, çfarë mund të bëjmë për ju. Po flas për ata vajza e djem që nuk shkojnë me gur, por në pararojë kanë gurët, maskat, dhe pastaj thonë na lëndoi policia. Aty nuk bëhet balet as nuk luhet futboll. Jo po doli RENEA. RENEA del sa herë që ka rrezik, patjetër doli dhe do dali, do shtrëngohet rrethi ndaj atyre me maskë. Kush do të flasë me mua pa maskë më ka këtu, kush do të më çojmë mesazh me maskë mua dhe shtetin më ka përballë. Kjo që po ndodh, Shqipërinë do ta nxjerrë më të fortë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka refuzuar sërish thirrjet për dorëheqjen e tij, duke argumentuar se largimi i qeverisë në këtë moment mund të ndikojë në procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama deklaroi se në diskutim nuk është vetëm pushteti i tij, por edhe vijimi i procesit të integrimit evropian, përpara të cilës sic tha shteti nuk mund të dorëzohet pasi do të mbetet prapa me vite.
“Nuk është pushteti im këtu në lojë, është tryeza e negociatave në BE dhe shqiptarët duhet ta mendojnë shumë qartë: duan këtë apo duan BE-në? Do të thonë disa se do të ikësh ti dhe ne nuk do të shkojmë në BE. Nuk po them që po, patjetër, jeni një tufë të paaftësh për ta çuar vendin në BE, një tufë mediokrësh, ziliqarësh, që vetëm nxisni dhunë, se nuk më mundni dot me zgjedhje dhe ju ka ardhur dita te guri. E filluat me shishe uji, me vezë dhe arritët te guri, po le të themi që jeni po kaq të aftë. Negociatat janë deri në vitin 2027. Kalendari kërkon që çdo ditë të çojmë çfarë kemi bërë. Kjo ndërpritet. Nëse unë po iki dhe po lë të vijë ai neoballist apo neokomunist, do të duhet një kohë e gjatë. Nuk ndodh të dorëzohet shteti përpara kësaj, se nuk e merr veten me vite”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj studentëve që prej ditësh protestojnë, duke deklaruar se ka dëgjuar vazhdimisht thirrjet e tyre për dorëheqje dhe burgosje, por sipas tij, nuk i është paraqitur asnjë kërkesë konkrete për arsyet pse duhet të largohet nga detyra.
Gjatë një komunikimi live në Facebook, Rama tha se studentët kanë protestuar për 140 ditë, por nuk kanë kërkuar, sipas tij, një dialog të drejtpërdrejtë për të argumentuar arsyet e largimit të tij nga posti i kryeministrit.
“Ju kam dëgjuar çdo ditë, sepse keni ardhur poshtë dritares sime. Ju kam dëgjuar ‘në burg’, ‘në litar’, ‘burg, burg, jep dorëheqjen’. S’kam dëgjuar kërkesa. Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë s’keni trokitur te dera dhe të të themi me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se kërkesa për dorëheqjen e tij është legjitime në një shoqëri demokratike, por sipas tij, ajo duhet të shoqërohet me argumente dhe dialog.
“Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë”, deklaroi kryeministri.
Kryeministri Edi Rama tha në një lidhje live nga zyra e tij mëngjesin e së dielës se dhuna që po ndodh prej 5 ditësh në Tiranë nuk është dorë e studentëve por dhunë e orkestruar nga opozita në Shqipëri dhe agjentura të huaja që nuk i duan të mirën Shqipërisë.
Rama tregoi se 2 ditë më parë është neutralizuar një dron që do godite me eksploziv Kryeministrisë.
“Përpara 2 ditësh është neutralizuar një dron më eksploziv që do të godiste Kryeministrinë dike i bënë flakën e oborrit të brendshëm dhe imagjinoni pasojat. S’ka rini dhe s’ka student që i shkon mendja ta bërë në jetë këtë plan, kjo është një dorë e huaj”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestën që prej pesë ditësh po zhvillohet në Tiranë, duke deklaruar se është përpjekur të shmangë përshkallëzimin e situatës dhe të mos bjerë në atë që e cilëson si “kurthi i dhunës që kërkon gjak”.
Në reagimin e tij, Rama u ndal te zhvillimet e protestës dhe bëri një paralelizëm me ngjarjet e 21 janarit, duke kujtuar viktimat dhe të plagosurit gjatë asaj dite.
“Jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek e koordinoj me shumë durim një përpjekje për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital se i priste përsëri druri dhe u mjekuan në shtëpi. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë, zare hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë janë kriminelë, e kam parasysh që ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Vetëpërmbajtja është A dhe Zh e kësaj historie”, tha Rama.
Sipas tij këto protesta të dhunshme po sfidojnë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Po sfidohet Shqipëria në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe mënyra evropiane mes forcave në një hapësirë demokratike ku liria dhe e drejta ime mbaron ku fillon jotja. Kjo është sfida, kjo është sprova. Natyrisht që unë i kuptoj shumë më mirë sesa ç’mund të mendojnë shumica dërrmuese e atyre që duan një qetësi të shtirur, të gjitha arsyet pse sot jemi në këtë terror gurësh. Jo nga populli, por nga një grusht njerëzish, edhe pse një pjesë e asaj mase e mbështet qorrazi këtë dhunë”, u shpreh Rama.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar lidhur me protestat dhe situatën e krijuar ditët e fundit në Shqipëri. Ambasada bën thirrje e për zhvillimin e protestave në mënyrë paqësore dhe pa akte dhune, si dhe të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.
“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi”,- thuhet në reagimin e Ambasadës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.