LIVE/ PS mbledh grupin parlamentar, Rama: Protestuesit janë matësi i ri i standardeve tona
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, prezantoi reflektimin e tij mbi protestat e zhvilluara gjatë muajit qershor, të cilat ai i quajti simbolikisht “Bulevardi i Flamingove”.
Rama tha se reflektimi i tij është përmbledhur në dy dokumente, të cilat do të shërbejnë si udhërrëfyes për mandatin e katërt qeverisës. Sipas tij, dokumenti i parë është strategjik dhe përcakton kthesën që duhet të marrë qeverisja, ndërsa i dyti është një aneks që orienton mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë proces.
“Do të flas për çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam gjatë qershorit, kur bulevardi u mbush me njerëz nga të gjitha kategoritë shoqërore dhe kur një shesh i rrallë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që vendi ka përjetuar ndonjëherë brenda një muaji. Kam dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së Bulevardit të Flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar e analizuar, që të përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në procesin qeverisës. I dyti është një aneks për mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë kthesë’, tha Rama.
Rama iu drejtua protestuesve dhe qytetarëve kritikë, duke deklaruar se ata nuk duhen parë si kundërshtarë apo si njerëz mosmirënjohës, por si tregues të standardeve të reja që duhet të arrijë qeverisja.
“Një ditë qershori një kryetar bashkie më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh. Më tha: ‘I kam gjetur në lumë, nuk kishin rrugë dhe i bëra me rrugë, me drita e me pemë, por janë mosmirënjohës’. Ai shok dhe koleg, të dashur miq, jemi ne të gjithë. Sedra e secilit prej nesh e ka menduar atë fjalë të keqe që i ka ardhur në majë të hundës në marrëdhëniet e punës me popullin. Kam menduar që janë mosmirënjohës. Pikërisht kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet, sepse në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë vendi.
Prandaj dua t’ua them unë që në fillim, duke shfrytëzuar këtë rast, atyre që protestuan ndaj kryetarit të bashkisë, atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje apo me zë, në Shqipëri apo jashtë saj: ju nuk jeni mosmirënjohës. Ju jeni matësi i ri i standardeve tona”, tha Rama.
Rama theksoi se protestat nuk duhet të interpretohen si një refuzim i arritjeve të qeverisë, por si shprehje e pritshmërive më të larta të qytetarëve ndaj institucioneve. Sipas tij, qytetarët që dolën në protestë kërkonin standarde më të larta në një Shqipëri që, sipas kryeministrit, ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me të kaluarën.
“Ju që mbushët bulevardet nuk protestuat kundër Shqipërisë. Bulevardi i Flamingove nuk doli për të mohuar transformimet e vendit apo për t’iu bashkuar këngës ‘Rama jep dorëheqjen’. Ata që votuan për ne në qershorin e kaluar dolën sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton më nën hijen e së vjetrës, kur njerëzit flakëshin nga puna e shtetit”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.