Los Anxhelesi ndalon përdorimin e inteligjencës artificiale në shkollat publike
– Distrikti Shkollor i Unifikuar i Los Anxhelesit (LAUSD), sistemi i dytë më i madh i shkollave publike në SHBA, ka ndaluar përdorimin e inteligjencës artificiale gjeneruese nga nxënësit gjatë vitit shkollor 2026–2027, sipas “Washington Post”.
Vendimi nënkupton kufizimin e aksesit të nxënësve në platformat e IA-së gjeneruese, përmes pajisjeve dhe llogarive të ofruara nga distrikti, ndërsa autoritetet po rishikojnë mënyrën e përdorimit të kësaj teknologjie në mësimdhënie dhe masat e sigurisë.
IA-ja gjeneruese është teknologji që mund të krijojë tekst, fotografi dhe përmbajtje të tjera në përgjigje të udhëzimeve të përdoruesit.
Para këtij ndryshimi, nxënësit 13 vjeç e lart në LAUSD mund të përdornin disa mjete të miratuara të IA-së, pasi të kishin përfunduar një kurs për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë dhe të kishin shqyrtuar rregullat e distriktit.
Vendimi i Los Anxhelesit vjen në një kohë kur distriktet shkollore në të gjithë SHBA-në, po përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes përgatitjes së nxënësve për një të ardhme, ku IA-ja do të jetë gjithnjë e më e pranishme dhe shqetësimeve për varësinë nga teknologjia, mashtrimin akademik, privatësinë dhe ndikimin e saj, në aftësinë e fëmijëve për të menduar dhe zgjidhur probleme në mënyrë të pavarur.
Nju Jorku, që ka sistemin më të madh shkollor publik në SHBA, ka ndërmarrë një qasje të ngjashme, por me kufizime sipas moshës.
Për vitin shkollor 2026–2027, nxënësit nga fillorja deri në klasën e 8-të nuk do të kenë akses në IA-në gjeneruese, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme do ta përdorin atë vetëm në programe të miratuara dhe nën mbikëqyrje.
Në Nju Jork janë parashikuar gjithashtu dy module vjetore për edukimin mbi IA-në, ku nxënësit e shkollave të mesme do të mësojnë për përdorimet, rreziqet, paragjykimet dhe çështjet etike që lidhen me këtë teknologji.
Këto masa tregojnë se disa prej sistemeve më të mëdha shkollore amerikane, po kalojnë nga përpjekjet për integrimin e shpejtë të IA-së drejt një qasjeje më të kujdesshme, duke kërkuar të përcaktojnë se kur, si dhe në çfarë kushtesh inteligjenca artificiale mund të përdoret në mënyrë të dobishme në arsim. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.