Administrata Trump kërkon bllokimin e rezultateve të zgjedhjeve në Alaskë, shkak ngjashmëria e emrave të kandidatëve
Administrata e presidentit Donald Trump iu drejtua gjykatës, duke kërkuar që të mos certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit për Senatin në Alaskë, në rast se kandidati republikan humbet, duke pretenduar se ekziston “konfuzion” për shkak të emrit të një kandidati tjetër.
Padia u paraqit në gjykatën federale në Anchorage dhe në të thuhet se Alaska “nuk do të përmbushë detyrimin e saj për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve” nëse certifikon “çdo rezultat zgjedhor të manipuluar për shkak të përfshirjes në fletën e votimit të Daniel J. Sullivan”, një kandidat i pavarur që ka të njëjtin emër me senatorin republikan Dan S. Sullivan, i cili synon të rizgjidhet.
Daniel J. Sullivan, një ish-punonjës i Shërbimit Pyjor të SHBA-së dhe mësues i shkollës fillore, paraqiti kandidaturën e tij më 29 maj, duke deklaruar qëllimin e tij për të zënë vendin e Dan S. Sullivan dhe për ta vënë “Alaskën të parën”, sipas faqes së tij të internetit.
“Dan Sullivan po kandidon kundër Dan Sullivan për vendin e Senatit të SHBA-së”, thuhet në të.
Në një intervistë me median amerikane, Dan J. Sullivan mohon se qëllimi i tij ishte të shkaktonte konfuzion ose të “vjedhte” votat nga Dan S. Sullivan.
Sondazhet tregojnë se kandidatja demokrate Mary Peltola është ngushtë përpara ose në barazim me senatorin republikan në largim Dan S. Sullivan në një shtet që Trump e fitoi me 14 pikë diferencë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Në Alaska, si në shumë shtete të tjera të SHBA-së, vlerësimet e miratimit të Trump janë në rënie, për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit dhe luftës në Iran, e cila është jashtëzakonisht e papëlqyeshme tek votuesit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.