ParlamentarePolitika

Lufta kundër korrupsionit, ligj ‘për mbrojtjen e sinjalizuesve’

“Për mbrojtjen e sinjalizuesve” është pr/ligji i përcjellë së fundi në Kuvend që përcakton rregullat për sinjalizimin e një veprimi apo praktike të dyshuar korrupsioni nga sinjalizuesit, në sektorin publik e privat.

Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja e korrupsionit në këto sektorë, mbrojtja e individëve që sinjalizojnë veprime të korrupsionit në vendin e tyre të punës, si dhe nxitja e sinjalizimit të praktikave të dyshuara korruptive.

Projektligji, që sanksionon të drejtën e konfidencialitetit për sinjalizuesin, është i ndërtuar në dy shtylla kryesore, së pari ai parashikon një procedure të re ligjore për hetimin e pretendimeve të sinjalizimit për një veprim korrupsioni dhe shtylla e dytë është sanksionimi i masave mbrojtëse për sinjalizuesit nga çdo veprim hakmarrës, që dëmton interesat e tyre ligjshme të sinjalizuesit dhe që rezulton nga sinjalizimi.

Një nga risitë e draftit është detyrimi ligjor për ngritjen e njësisë së specializuar përgjegjëse, me detyrën e shqyrtimit dhe hetimit të sinjalizimit.

Neni 10 parashikon që pranë çdo autoriteti publik, i cili ka më shumë se 80 të punësuar dhe subjekti privat, i cili ka më shumë se 100 të punësuar caktohet një njësi përgjegjëse, e cila regjistron, heton dhe shqyrton sinjalizimet sipas këtij ligji. Kjo njësi mund të përbëhet nga një ose më shumë persona, sipas përbërjes dhe strukturës së organizatës, të trajnuar posaçërisht në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave(ILDKPKI) përcakton strukturën dhe kriteret e punonjësve të njësisë përgjegjëse të subjekteve private, ndërsa Këshilli i Ministrave përcakton kriteret e përzgjedhjes së punonjësve të njësisë në autoritetet publike.
ILDKPKI-ja heton drejtpërdrejt sinjalizimin për veprimet apo praktikat e dyshuara të korrupsionit në organizata të cilat nuk kanë një njësi përgjegjëse për këtë qëllim.

Njësia përgjegjëse mund të përbëhet nga një ose më shumë persona, sipas përbërjes dhe strukturës së organizatës, të trajnuar posaçërisht në fushën e mbrojtjes së sinjalizuesve. Çdo organizatë, e cila nuk krijon njësitë përgjegjëse brenda afateve ligjore, dënohet me gjobë në vlerën 100.000 lekë.

Pr/ligji është hartuar në mbështetje të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit 2015-2017, të miratuara nga qeveria. Duhet nënvizuar rëndësia e nismes ligjore në forcimin e luftës kundër korrupsionit si një prej pesë prioriteteve kyçe në hapjen e negociatave për pranimin në BE dhe rekomandimeve të Progres Raporti të vitit 2015 për Shqipërinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button