Lufta me Iranin i kushton çdo familjeje amerikane rreth 2,000 dollarë, vlerëson Moody’s
Sipas vlerësimit të Moody's Analytics, konflikti u ka kushtuar konsumatorëve amerikanë rreth 265 miliardë dollarë që nga fundi i shkurtit — kryesisht përmes karburantit më të shtrenjtë dhe normave më të larta të interesit.
Lufta në Lindjen e Mesme po e godet drejtpërdrejt xhepin e familjeve amerikane. Sipas raportimit të CNN, vlerësimi i Mark Zandit, kryeekonomist i Moody’s Analytics, është se konflikti u ka kushtuar konsumatorëve amerikanë rreth 265 miliardë dollarë që nga nisja e tij në fund të shkurtit — mesatarisht rreth 2,000 dollarë kosto shtesë për çdo familje.
Pjesa më e madhe e faturës vjen nga energjia. Paraliza për muaj të tërë e Ngushticës së Hormuzit dhe kostoja shumë më e lartë e nxjerrjes së naftës nga Gjiri Persik kanë shtrenjtuar gjithçka, nga benzina te nafta për ngrohje. Sipas Moody’s, vetëm çmimet më të larta të energjisë i kanë kushtuar një familjeje tipike rreth 1,100 dollarë, dhe fatura vijon të rritet me rreth 50 dollarë në javë me çmimet aktuale. Benzina kushton mesatarisht 4.34 dollarë për galon në shkallë vendi, sipas AAA, nga 2.98 dollarë para konfliktit, ndërsa nafta dizel mbetet pranë niveleve rekord.
Goditja ndihet edhe në udhëtime dhe në ngrohje. Çmimet e biletave të avionit ishin 23% më të larta në gusht krahasuar me një vit më parë, linjat ajrore kanë shkurtuar linjat më pak fitimprurëse dhe kanë rritur tarifat e bagazheve, ndërsa familjet që ngrohen me naftë pritet të paguajnë këtë dimër 21% më shumë se dimrin e kaluar, sipas Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë.
Kanal i dytë i madh janë kostot e huamarrjes. Inflacioni më i lartë e shtyu Rezervën Federale të rrisë normat e interesit për herë të parë në tre vjet, dhe shitja në tregun e obligacioneve i çoi normat e hipotekave fikse 30-vjeçare në 7.4%, niveli më i lartë në gati tre vjet. Moody’s vlerëson se vetëm normat më të larta i kanë kushtuar familjes tipike rreth 360 dollarë, pa llogaritur këtu faturën ushtarake të vetë konfliktit — Pentagoni u ka thënë ligjvënësve se lufta ka kushtuar 45.1 miliardë dollarë, shifër që nuk përfshin riparimin e bazave të dëmtuara në rajon.
Pasojat po ndihen edhe politikisht, pak javë para zgjedhjeve të mesmandatit të 3 nëntorit. Rritja e kostos së jetesës po shoqërohet me rënie të besimit të konsumatorëve dhe me rritje më të ngadaltë të pagave: rritja e pagave në shtator zbriti në nivelin më të ulët në pesë vjet, ndërsa pagat reale, të përshtatura për inflacionin, kanë rënë pothuajse çdo muaj që nga nisja e luftës, duke i detyruar shumë familje të prekin kursimet ose të përdorin kartat e kreditit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.