Luftë me zjarret nga Jugu në Veri, 5 zona problematike! Ministria e Mbrojtjes: 12 vatra ende aktive, mbi 800 forca në terren,
Situata e zjarreve në vend vijon të menaxhohet nga strukturat operacionale në terren, me mbështetje edhe nga ajri.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme janë raportuar 22 vatra zjarri, nga të cilat 12 aktive, 9 nën mbikëqyrje dhe 1 e shuar.
Në operacione janë angazhuar 498 forca vendore dhe lokale, si dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura. Në terren janë vënë në dispozicion mjete zjarrfikëse dhe mbështetëse, autoambulanca, dronë, ndërsa janë kryer edhe 4 operacione me helikopterë.
Në Qarkun Tiranë, zjarri vijon aktiv në Malin e Dajtit, në një sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse, të ADM-së dhe të Forcave të Armatosura, si dhe mjete, autoambulancë dhe një helikopter. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa zjarri në Malin e Bërzhitës është izoluar dhe mbahet nën monitorim.
Në Qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Autoritetet raportojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun Lezhë, aktive mbeten vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Bashkisë Lezhë. Në këtë të fundit janë angazhuar 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të Forcave të Armatosura, 16 mjete, 2 autoambulanca dhe një helikopter. Edhe në këto zona nuk raportohen banesa në rrezik.
Në Qarkun Elbasan, zjarri në Malin e Qukësit, Prrenjas, është nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Gurëshpatë të Librazhdit vijon aktive. Në terren janë angazhuar forcat e MZSH-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun Shkodër, situata po ndiqet në disa zona. Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje. Zjarri vijon aktiv në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, ku operacioni mbështetet nga efektivë të FA-së, mjete zjarrfikëse, autobot dhe helikopter.
Punimet vijojnë edhe në Bardhaj–Myselim, ndërsa vatra në Bërdicë është nën mbikëqyrje. Në Malin e Tërbunit, Pukë, zjarri vijon aktiv në pyll me pisha. Edhe në këto zona nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Qarkun Vlorë, vatra në Bolenë të Himarës është nën mbikëqyrje, ndërsa në Qesarat të Finiqit zjarri vijon aktiv në një sipërfaqe me shkurre. Për shuarjen e tij është ndërhyrë edhe nga ajri me një helikopter.
Në Qarkun Fier, vatrat në Peshtan dhe Çërrilë janë nën mbikëqyrje, ndërsa strukturat zjarrfikëse vijojnë monitorimin për të parandaluar riaktivizimet.
Në Qarkun Durrës, zjarri në Halil të Krujës është izoluar dhe shuar. Zona vijon të mbahet nën monitorim nga MZSH Krujë.
Ndërkohë, në Qarkun Kukës, vatra në Mamëz, në njësinë administrative Kolsh, është nën mbikëqyrje. Zjarri është shfaqur në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”, njofton Ministria e Mbrojtjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.