Lushaku Sadriu: Deputetë të LDK-së synojnë kreun e partisë, ka ambicie edhe nga jashtë
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se disa deputetë kanë shprehur synimin për të garuar për kryetar të partisë, ndërsa ambicie për drejtimin e subjektit ka edhe nga jashtë tij.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, ajo ka folur për diskutimet e brendshme, lidershipin e Lumir Abdixhikut dhe raportin e Përparim Ramës me LDK-në.
“Ka dëshirë gjithmonë edhe nga njerëz jashtë partisë për të qenë kryetar i LDK-së, por ka edhe ambicie nga brenda. Ne sot kemi disa deputetë që tashmë kanë premtuar se do t’i hyjnë garës për kryetar të LDK-së”, ka deklaruar ajo, shkruan Telegrafi.
Lushaku Sadriu i ka cilësuar këto ambicie si pasuri për partinë, duke theksuar se dallimet në qasje dhe debatet e brendshme janë pjesë e demokracisë së saj.
“Mendoj që LDK-ja ka një demokraci që e bën më të hapur. Po e shihni që edhe ju gazetarët i dini diskutimet tona të brendshme. Ne i zhvillojmë në mënyrë transparente, ndonjëherë edhe publikisht”, është shprehur ajo.
Sipas saj, interesimi për drejtimin e LDK-së lidhet edhe me rolin historik të këtij subjekti.
“Kjo është një lloj pasurie, është një dëshirë e njerëzve për të qenë udhëheqës të një subjekti që, tekefundit, ka pasur role vendimtare historike për shtetin tonë dhe mbetet atraktiv edhe sot”, ka theksuar ajo.
E pyetur për Përparim Ramën, Lushaku Sadriu ka kujtuar se ai është zgjedhur kryetar i Prishtinës si kandidat i LDK-së dhe ka udhëhequr listën e saj në zgjedhjet lokale.
“Rregullat e partisë janë rregulla të partisë”, është shprehur ajo.
Lushaku Sadriu ka shtuar se Rama mund të anëtarësohet nëse dëshiron të bëhet pjesë e organizimit politik dhe beson në vlerat e subjektit.
“Nëse këto janë çështje të cilat i dëshiron zoti Përparim Rama, normalisht që mund të vijë të anëtarësohet. Partia ka nevojë për njerëz të rinj, ka nevojë edhe për njerëz ambiciozë”, ka deklaruar ajo.
– YouTube www.youtube.com
Për lidershipin aktual, Lushaku Sadriu ka thënë se, pas kërkesave për ndryshim, ishte organizuar Kuvendi i partisë, ku Abdixhiku kishte marrë mbështetjen për ta vazhduar mandatin.
“Kryetari Abdixhiku u rilegjitimua dhe fitoi me shumicë përkrahjen për të vazhduar mandatin e tij”, ka deklaruar ajo, shkruan Telergafi.
Duke iu referuar qëndrimit të Abdixhikut, ajo ka thënë se do të respektohet cikli i rregullt zgjedhor, por kjo nuk i ndal diskutimet dhe shprehjen e ambicieve për drejtimin e partisë.
“Kjo nuk do të thotë që debatet shuhen”, është shprehur Lushaku Sadriu
Ajo ka pranuar gjithashtu se brenda LDK-së nuk kishte qëndrim unik për bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe për mbështetjen e kandidatit për president.
Sipas saj, gjashtë deputetë të grupit parlamentar nuk e mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut, pavarësisht pajtimit paraprak për mbështetjen e një kandidati konsensual.
“Ne u pajtuam si grup që të mbështesim një kandidat konsensual, por pastaj gjashtë deputetë të grupit parlamentar mbajtën qëndrim për të mos e dhënë mbështetjen e tyre për Sejdiun”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Lushaku Sadriu ka theksuar se përgjegjësia për rezultatin e partisë është e përbashkët dhe se synimi mbetet që LDK-ja të bëhet forcë e parë politike.
“Ky rezultat, në fakt, është rezultati që ne të gjithë bashkë e kemi prodhuar”, është shprehur ajo. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.