Kronika

Lutje në kishë për reformën. Thirrja për politikën: Gjeni konsensus

Tri komunitetet e krishtera, ortodoksët, katolikët dhe Vëllazëria Ungjillore i kanë bërë thirrje politikës këtë të mërkurë, që të gjejë konsensusin për miratimin e reformës në drejtësi.

24 orë para afatit të fundit, tri komunitetet kanë paraqitur një deklaratë të përbashkët, ku thonë se janë duke ndjekur me interes dhe shqetësim rrugëtimin e reformës në drejtësi, gjatë të gjithë kohës që flitet për të.

Kishat e krishtera thonë në deklaratë se, në këtë moment kaq delikat, kur po afrohet data dhe mundësia për t’i dhënë vendit një reformë në drejtësi, e cila është ndër hallkat më problematike të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare, e që prek drejtpërdrejt jetën dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve shqiptarë, i bëjmë thirrje sensit të përgjegjësisë së faktorëve dhe udhëheqësve politikë, që të gjejnë me patjetër një konsensus për këtë reformë, ashtu siç edhe faktori ndërkombëtar është duke theksuar.

“Gjetja e një gjuhe të përbashkët në interes të vendit, jashtë interesit vetjak apo të një grupimi të caktuar politik, është sot misioni juaj i madh”, thuhet në deklaratë. Të krishterët thonë se “Gjetja e konsensusit për miratimin e reformës në drejtësi do të shtojë besimin e popullit te faktori politik dhe do të ndikojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, ku shteti i së drejtës do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të së mirës së përbashkët”.

“Orët në vazhdim janë jetike”, thuhet në deklaratë. Tri kishat e krishtera besojnë se ka ende hapësira për t’u ulur dhe për të lënë mënjanë retorikën konfliktuale. “Populli pret shumë nga ju e nga ne të gjithë, që në mënyra të ndryshme duhet të kontribuojmë në përmirësimin e jetës së tyre”.

“Ne premtojmë, – thuhet në deklaratën e kishave të krishtera, – se lutjet tona dhe të besimtarëve tanë i janë drejtuar Zotit për gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe miratimin e kësaj reforme. Paqja e Zotit qoftë me ju!”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button