Macron dhe von der Leyen: Evropa të forcojë industrinë hapësinore
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i kanë bërë thirrje Evropës të forcojë industrinë e saj hapësinore, gjatë ditës së dytë të samitit ndërkombëtar hapësinor që po zhvillohet në Paris.
Samiti, i bashkëorganizuar nga Franca dhe Gjermania, po zhvillohet në Grand Palais, ku liderët evropianë kanë vënë theksin te rritja e kapaciteteve dhe investimeve në sektorin hapësinor.
Duke folur në samit, Macron e cilësoi industrinë hapësinore evropiane si “të brishtë” dhe theksoi nevojën për forcimin e aftësive të saj. Ai bëri gjithashtu thirrje për një “qeverisje të përbashkët” të industrisë në nivel evropian.
Macron bëri të ditur se gjatë samitit pritet të nënshkruhen më shumë se 51 marrëveshje, të shoqëruara me investime që arrijnë në rreth 20 miliardë euro.
Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen theksoi rëndësinë strategjike të hapësirës për Evropën, jo vetëm në drejtim të eksplorimit shkencor, por edhe për sigurinë dhe pavarësinë e saj.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ajo tha se aftësia për të hyrë dhe vepruar në hapësirë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për sigurinë evropiane.
Sipas von der Leyen, komunikimet satelitore mundësojnë lidhjen mes ushtarëve, ndërsa imazhet satelitore ndihmojnë në identifikimin e lëvizjeve në terren qindra kilometra larg.
Samiti pritet të fokusohet në forcimin e bashkëpunimit evropian në sektorin hapësinor, rritjen e investimeve dhe zhvillimin e kapaciteteve që lidhen me teknologjinë, ekonominë dhe mbrojtjen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.