Bota

Macron i adresohet kombit, paga minimale do të rritet për 100 euro

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i është adresuar kombit për herë të parë që nga shpërthimi i protestave në vend, duke premtuar rritje të pagës minimale por edhe lëshime të caktuara tatimore.

“Paga minimale do të rritet me 100 euro, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, ndërsa puna jashtë orarit nuk do të tatimohet”, tha Macron.

Ai kërkoi nga punëdhënësit t’u paguajnë punëtorëve bonuse në fund të vitit, për të cilat tha se gjithashtu nuk do të tatimohen, për të shtuar se beson se kriza në vend do të zgjidhet së shpejti.

“Shumë vende tjera kanë përjetuar momente më të vështira. Do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza”, shtoi më tej ai.

Macron, në adresimin e tij kombit, tha se Franca aktualisht ka një situatë të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale, për çka ftoi qytetarët ta mbështesin atë, në mënyrë që të punojnë bashkë për të zgjidhur problemin.

Ai bëri të ditur se do të braktisë rritjen e planifikuar të shkallës tatimore, e cila do të godiste pensionistët me pensionet më të ulëta.

“Në 40 vitet e fundit jemi përballur me një përbindësh, pasi kemi fshatra dhe qarqe të tërë ku shërbimet publike dhe kushtet e jetesës janë rrënuar, ndërsa kemi shumë njerëz, statusi social i të cilëve nuk është siç duhet”, tha Macron për të shtuar se kjo shtresë e shoqërisë është lënë në harresë.

Protesta ishte “e thellë, megjithatë e justifikuar”

Macron tha se protesta ishte “e thellë, megjithatë në shumë aspekte e justifikuar”, sepse siç tha, e kishte bërë të kuptojë se ka shumë qytetarë të pakënaqur.

“Shumë njerëz ishin të pakënaqur me kushtet e jetës dhe ndjenin se askush nuk i dëgjon ata. Unë marr përsipër pjesën time të përgjegjësive. Ndoshta kam lënë përshtypjen se kam shqetësime dhe prioritete tjera”, tha presidenti i Francës.

Megjithatë, tha ai, në rrugët e Francës kishte shumë dhunë, për çka aktet e tilla do të ndëshkohen.

Macron theksoi se është e një rëndësie të veçantë ruajtja e unitetit dhe të mendojmë për të ardhmen.

Kujtojmë se në protestat e mbajtura të shtunën në Francë, sipas MPB-së së atjeshme, morën pjesë 136.000 njerëz.

Në njoftim u tha se nga shkaku i trazirave të shkaktuara, u arrestuan 1.220 persona.

Kostoja e vendimeve të Macronit është 8-10 miliardë euro 

Ministri francez përgjegjës për Çështjet Financiare, Olivier Dussopt, njoftoi se kostoja e vendimeve të presidentit të Francës, Emmaunel Macron, është 8-10 miliardë euro.

Dussopt, në një deklaratë për televizionin BFMTV deklaroi se kostoja e vendimeve të presidentit Macron në drejtim të “jelekëve të verdhë” do të jetë 8-10 miliardë euro. Ai theksoi se po punojnë në drejtim të asaj se si do ta financojnë një vlerë të tillë.

Në anën tjetër pritet që sot dhe të mërkurën Macron të zhvillojë takime me përfaqësues të bankave dhe të kompanive të mëdha.

Macon në një deklaratë në lidhje me protestat e “jelekëve të verdhë” kishte deklaruar se duke filluar nga viti 2019 paga minimale do të rritet për 100 euro.

Presidenti francez po ashtu kërkoi nga punëdhënësit që ata të cilët munden të paguajnë bonuse për fundvit për punëtorët e tyre.

Protestat në Francë

Protestat në Francë të cilët filluan më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimeve të karburanteve dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, më pas me protestat e “jelekëve të verdhë” kundër administratës së Macron, u shndërruan në protestat më të dhunshme të viteve të fundit.

Protestuesit të cilët në përgjithësi përbëhen nga personat të cilët për shkak të kostos së qirave të larta në qendër të qyteteve janë vendosur nëpër zona rurale, kërkojnë nga Macron përmirësimin e kushteve ekonomike.

Më parë ishte njoftuar se rritja e çmimeve për derivate, e cila protestohej nga “jelekët e verdhë” është anuluar për vitin 2019, por protestuesit nuk e kishin parë si të mjaftueshëm një veprim të tillë dhe kishin njoftuar se do t’i vazhdojnë protestat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button