Bota

Macron në Pekin: Franca dhe Kina nënshkruajnë marrëveshje 15-miliardëshe

Të mërkurën në Pekin, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping dhe presidenti francez Emanuel Macron morën pjesë bashkë në ceremoninë e mbylljes të samitit ekonomik Kinë-Francë. Xi thekson në fjalimin e tij se Kina ngul këmbë në hapjen me botën e jashtme dhe strategjinë e hapjes me përfitime të përbashkëta. Kina do të integrojë zhvillimin e tregut vendas me tregun ndërkombëtar dhe do të favorizojë më shumë vendet dhe popujt e botës.

Xi thotë që për qarqet industriale dhe tregtare në Francë e Europë, zhvillimi i Kinës është një shans shumë i mirë. Dera e Kinës do të hapet përgjithmonë për botën e jashtme dhe shpreson që Franca dhe Europa mund të mbajnë derën e hapur në mënyrë të barabartë për investitorët kinezë.

Xi shtoi gjithashtu që Kina është gati që bashkë me Francë dhe Europë, të mbështetë me vendosmëri sistemin e tregtisë shumëpalëshe, të kundërshtojë proteksionizmin dhe unilaterizmin dhe të formojë një mjedis të lirë e të hapur tregtar, për të futur gjallëri në rritjen ekonomike botërore.

Një zyrtar kinez njoftoi gjatë një konference për medie se Kina dhe Franca kanë nënshkruar kontrata bashkëpunimi në vlerë të 15 miliardë dollarëve gjatë vizitës së presidentit francez në Kinë.

Marrëveshjet e arritura kanë të bëjnë me fushat e aeronautikës, energjisë dhe bujqësisë, përfshirë miratimin që 20 kompani franceze të eksportojnë shpezë, mish gjedhi dhe mish derri në Kinë.

Këto dy vende u morën vesh edhe për zgjerimin e një protokolli për eksportimin e shpezëve, ku tash e tutje do të përfshihen edhe shotat, ndërsa do të punohet edhe për marrëveshjen e eksportimit të materialit gjenetik të derrave nga Franca në Kinë.

Franca dhe Kina nënshkruan marrëveshje edhe për koston dhe vendin e ndërtimit të një qendre për ripërpunimin e lëndës bërthamore.

Për më tepër, mediet shtetërore kineze njoftuan se Kina do t’i mbështesë planet e kompanive të veta për të blerë aeroplanë të tipit “Airbus”, të cilët prodhohen në Francë.

U tha gjithashtu se të dyja shtetet synojnë ta shtojnë bashkëpunimin në sektorin e helikopterëve, motorëve të aeroplanëve dhe trajnimit të pilotëve, shkruan “Reuters”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button