Majko në Ukrainë: Në Ukrainë do të krijohet Katedra e Gjuhës Shqipe
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka zhvilluar këto ditë një vizitë zyrtare në Ukrainë dhe në fshatin Karakurt në afërsi të Odesës, banorë e të cilit janë me origjinë shqiptare. Gjatë vizitës në Ukrainë, Majko u takua me Zv.Ministrin e Parë të Arsimit dhe Shkencës në Ukrainë, Kovtunets Vladimir Vitalievich.
Bisedimet prodhuan dy rezultate të veçanta; Krijimi i Katedrës Shqipe në Ukrainë dhe dakordësimi lidhur me bursat për studentët shqiptarë në nivelet Bachelor, Master dhe Phd.
Majko gjithashtu zhvilloi një takim me Zv. Kryeministren e Ukrainës, Ivanna Klympush-Tsintsadze
Gjatë takimit u vu theksi tek nxitja e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, dhe u fol gjithashtu për firmosjen e një marrëveshje për tregtinë e lirë. Majko e ftoi Zv.Kryeministren Ukrainase në një vizitë në Shqipëri.
Gjatë qëndrimit në Kiev, Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko gjithashtu vizitoi fshatin Karakurt në rajonin e Odesës ku u prit nga autoritetet rajonale e gjithashtu përfaqësuesit e diasporës shqiptare. Në këtë vizitë Ministri Majko shoqërohej nga Ambasadorja e Shqipërisë Shpresa Kureta, në Ukrainë.
“Pas 300 vitesh duhet të vini në Shqipëri, për ta parë nga afër vendin tuaj të origjinës, i cili është kthyer në një destinacion mjaft të preferuar turistik”, tha Majko.
‘Gjaku nuk bëhet ujë’, tha më tej Ministri i Shtetit, i cili premtoi se do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për diasporën në Ukrainë.
Implementimi i projekteve të përbashkëta në arsim dhe kulturë ishte në qendër të një tryeze të rrumbullakët të mbajtur me autoritetet rajonale dhe përfaqësues të diasporës.
Majko vizitoi edhe shkollën ku mësohet gjuha shqipe e gjithashtu Shtëpinë e Kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të diasporës.