Opinion

Pezullimi tronditës i Ballukut, kryeministri dhe legjislacioni..

Nga PETRO DHIMITRI

Belinda Balluku ishte e vetmja politikane e PS-së për të cilën kisha respekt të veçantë. Shumë aktive, e saktë, e palodhur. E kudo- ndodhur, gojëtare dhe shoqërore. Ishte si rrufe në qiell të hapur lajmi që atë e thirri SPAK-u dhe doli që është nën hetim. Zhgënjim për të gjithë ata që e besuan dhe e donin. Megjithatë, të jesh i ose e akuzuar, nuk do të thotë se je fajtor. Ama një hije dyshimi ngrihet rreth teje. Kjo është arsyeja që Zëvendëskryeministres Balluku, që atë ditë që doli nga dera e hetuesisë, i takonte të jepte dorëheqjen që drejtësia të bëjë ç’i takon asaj. Ajo nuk pati guximin ose dëshirën të mënjanohej nga posti deri në përfundimin e hetimeve ose edhe gjykimit. Institucioni i dorëheqjes , si pjesë e rëndësishme e demokracisë, te ne vazhdon jo vetëm të mos njihet, po dhe të injorohet. Politikanët  Ilir Meta, Lulzim Basha, Sali Berisha, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj me shokë nuk guxuan të hapin krahun për t’ia lënë drejtësisë t’i hetojë , duke mos mbajtur postet drejtuese. Berishës edhe pse humbës zgjedhjesh, në gjykim  për

korrupsion pasiv në procesin e klubit ”Partizani” si dhe në hetim për vrasjet e 21 janarit, as i shkon mendja që duhet të japë dorëheqjen si kryetar i PD-së dhe si deputet. Vazhdon të gënjejë, sepse ”drejtësia” duket si e tulatur nga hija e ”rëndë” e tij?! Erion Veliaj edhe pse po afron vitin që është arrestuar ( me të drejtë apo gabimisht- kjo lë vend për diskutim) nuk jep dorëheqje. Si SPAK dhe Gjykata ( për shkaqet që i dinë mirë ata) nuk pranuan që ai të hetohet në gjendje të lirë, megjithatë ai nuk jep dorëheqje kur , sidomos për kryeqytetin, posti i KRYEBASHKIAKUT nuk është luks, po domosdoshmëri. Kjo bëri që qeveria të gabonte duke shkarkuar  një njeri të zgjedhur. Ama ai vetë nuk ka pse të mos pranojë dorëheqjen deri sa drejtësia ta përfundojë atë proces. Po doli i pafajshëm, populli, për meritat që nuk ia mohon, ka të drejtë ta votojë sërish.
     Për rastin e freskët Balluku ( po bëhet shumë zhurmë dhe ka përplasje mendimesh)  duhet thënë se mirë ajo këmbënguli në të vetën, d.m.th. në pafajësinë e saj, po pse Kryeministri Edi Rama nuk e pezulloi atë për t’ia lehtësuar hetimin SPAK-ut? Pezullimi nuk do të thoshte hedhje e saj ose dhe dënim nga partia. Ai është një proces normal në vendet ku  sundon demokracia. Përkundrazi zoti Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar kërkesën e tij. Mendon që me pezullimin e Zëvendëskryeministres SPAK ka kaluar kompetencat që ia njeh ligji. Mendon se është ndërhyrje e padrejtë  e pushtetit gjyqësor ndaj atij ekzekutiv. E quan precedent të rrezikshëm  sidomos për të ardhmen.
Detyrën e Zëvendëskryeministres nuk mund ta kryejë njeri tjetër për pa u emëruar si i tillë. Dukshëm ka një paqartësi në paketën ligjore sidomos për njerëzit e zgjedhur si dhe për ata të emëruar në poste të larta. Për kryebashkiakët e zgjedhur ligji thotë se ai mund të arrestohet vetëm nëse ka bërë krim të rëndë. Dakord. E dimë që nuk ka vrarë, se vetëm vrasja është krim i rëndë. Për Shqipërinë, edhe korrupsioni ose vjedhja në përmasa të mëdha, nuk mendoj se është një krim i lehtë. Aq më shumë kur  numri i politikanëve tanë të korruptuar blu ose rozë nuk është i vockël. Edhe shumat për të cilat bëhet fjalë nuk janë qindra e mijëra, por shumë miliona. Si të mos arrestohet ose hetohet deputeti, ministri, Zëvendëskryeministri, Kryeministri apo edhe Presidenti, sepse populli i paska votuar, kur ata, duke mbushur xhepat e tyre, e kanë tradhtuar atë?! Pse për këta hajdutë ordinerë me kollaro drejtësia të ngurrojë për t’i hetuar?! Nuk ia lejon ligji. Gjë që rregullohet duke e saktësuar dhe plotësuar ligjin ose edhe duke shtuar nene të tjerë.
    Me që u bënë shumë VIP-a të akuzuar për korrupsion, me që ka goxha përplasje mendimesh nëse i takon drejtësisë të veprojë ose jo, me që po bëhet shumë zhurmë në shtyp dhe në portale për procedurën, kompetencat dhe ligjin, sikur po harrohet ajo që populli kërkon të dijë: shkallën e korrupsionit të tyre, si kanë vepruar, si janë përpjekur të fshehin gjurmët. Bëhet fjalë për miliona përfitim. Ka pasur anësi në tendera për përfitim vetjak? Nga firmat e ofruara me të dhëna të  përafërta  patjetër zgjidhet njëra. Dyshimi është mos vallë ka hyrë paraja e pistë në atë përzgjedhje. Këto dhe shumë hollësi të tjera nga veprimtaria zhvatëse e politikanëve me pushtet nuk mund të dalin në dritë, po qe se SPAK-ut do t’i vihen caqe për të mos hetuar cilindo njeri me pushtet  që nuk i ka duart e pastra.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button