MALI I ZI SYNON PËRMBYLLJEN E NEGOCIATAVE ME BE-në DERI NË FUND TË VITIT
Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Qeveria e Malit të Zi dhe struktura negociuese zhvilluan në Podgoricë një takim me përfaqësuesit e Grupit Punues për Zgjerimin e BE-së (COELA), ku u diskutua për përmbylljen e reformave dhe kapitujve të mbetur të negociatave të anëtarësimit.
Sipas Qeverisë, përfaqësuesit e shteteve anëtare shprehën mbështetje për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2026, ndërsa Mali i Zi synon anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2028.
Zëvendëskryeministri për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq, tha se procesi reformues po hyn në fazën përfundimtare dhe se legjislacioni i mbetur pritet të miratohet së shpejti.
Ministrja për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se Podgorica pret nga vendet anëtare që përparimi i arritur të reflektohet në vendime konkrete për mbylljen e kapitujve negociues.
Në fokus të takimit ishin veçanërisht Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore dhe Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, si dhe reformat në fushën e mjedisit, përkatësisht Kapitulli 27.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, tha se reformat në drejtësi po zbatohen me synimin për të prodhuar rezultate të qëndrueshme në pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Danillo Sharanoviq, njoftoi për investime në sigurinë kufitare dhe modernizimin e policisë. Për vitin 2026, sipas tij, janë parashikuar 54 milionë euro për modernizimin e policisë dhe deri në 21 milionë euro për pajisje skanimi në pikat kufitare dhe në Portin e Tivarit.
Në takim u diskutua gjithashtu për përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit, ndërsa përfaqësuesit e COELA-s përcollën mbështetjen e shteteve anëtare për mbylljen e përkohshme të kapitujve të mbetur deri në fund të vitit 2026.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.