Kronika

Mamografi falas për gratë ushtarake dhe civile të FA, Kodheli: Gjeni kohën për t’u diagnostikuar

Në kuadër të muajit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, nën kujdesin e veçantë të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes për një javë të plotë është në dispozicion të grave ushtarake dhe civile një makinë lëvizëse për kryerjen e mamografisë falas.

Në ditën e dytë të vizitave mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila bashkëbisedoi me gratë që ishin të pranishme për kryerjen e ekzaminimeve.

Një bisedë të ngrohtë ajo zhvilloi edhe me Silvana Markgjoni, e cila ka luftuar për 21 vite me radhë me këtë sëmundje, duke e fituar këtë betejë jetësore vetëm falë vendosmërisë së saj.

Në fjalën e saj drejtuar grave të pranishme, Silvana Markgjoni  u  bëri thirrje që të mos kenë frikë nga kontrolli. “Shoh shumë shpesh gra të trembura për të bërë mamografinë, tremben nga kontrolli, tremben nga e vërteta dhe ky është gabimi më i madh që ato mund të bëjnë” tha Markgjoni.

Më tej ajo u shpreh se të gjitha gratë duhet të mendojnë që vetëm një mamografi  e thjeshtë që bëjnë, ju fal jetën për të afërmit, për fëmijët, për veten e tyre. Ju fal këtë jetë që është kaq e bukur.

Në fjalën e saj ministrja Kodheli vlerësoi guximin, trimërinë dhe vendosmërinë e znj. Silvana Markgjoni, për t’i demonstruar vetes dhe të tjerëve që ne mund t’ia dalim vetëm duke bërë mamografinë. “Unë jam një tjetër dëshmi e një personi që bëj rregullisht mamografinë, pavarësisht se çfarë kam bërë në jetë, pavarësisht se sa mundësi kam pasur, pavarësisht në çfarë moshe kam qenë mbi të 40, e kam bërë mamografinë çdo vit”.

Ministrja Kodheli nënvizoi se “Jo vetëm zonjat që janë nën uniformë, që kanë një tjetër qasje ndaj disiplinës edhe detyrimeve që kanë për veten e tyre dhe të tjerët, për përgjegjësitë që mbajnë, por edhe zonjat civile që punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të gjithë zonjave që punojnë në FA dhe të gjitha zonjat që na dëgjojnë sot,  duhet thjeshtë dhe vetëm të gjejnë kohën për t’u diagnostikuar, është shumë e rëndësishme”.

Në fund të fjalës së saj Kodheli theksoi se kjo është sëmundja e shekullit dhe që po përparon.  “Shpeshherë i dëgjoj njerëzit të thonë që është bërë tumori sikur të jetë një grip dhe është e vërtetë, ndaj vetëm parandalimi, siç është në rastin e mamografisë, është le të themi shpëtimi i vetëm. E kapur në kohë pothuajse në të gjitha rastet është 100 % e shërueshme” tha ministrja e Mbrojtjes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button