Kriza e rëndë politike që ka përfshirë Maqedoninë, po reflektohet negativisht në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kjo vërehet edhe në largimin e investitorëve, rritjen e borxhit publik, vonesat në paga, rritjen e kredive të qytetarëve, rritjen e papunësisë dhe të varfërisë, si dhe efekte tjera negative, që kanë vështirësuar gjendjen ekonomike të qytetarëve, vlerësojnë njohësit e çështjeve të ekonomisë duke analizuar pasojat e krizës politike ndaj sektorit të biznesit në vend.
Arben Halili, profesor i ekonomisë dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë veri-Perëndimore, thotë se kriza mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse realizohen sanksionet e paralajmëruar nga BE-ja ndaj zyrtarëve. “Unë jam i bindur se vendosja e sanksioneve sigurisht se do të kishte pasoja shumë të mëdha ndaj ekonomisë së vendit. Pasojat e para sigurisht se do të adresoheshin ndaj biznesit, ndaj ekonomisë në përgjithësi, ndaj investimeve të huaja pasi gjithnjë e më shumë po jepen sinjale si investitorët e huaj, jo që janë dorështrënguar, por është normale që për një biznes që dëshiron të zgjerohet në këtë rajon, të interesohet për të gjitha veprimet qoftë ekonomike, qoftë politike. Pra, në një gjendje të këtillë të rënduar politike edhe interesi i investitorëve të huaj për të investuar në Maqedoni do të ishte më i vogël”, thotë Halili.
Ngjashëm vlerëson edhe Sonja Stojadinoviq, njohëse e çështjeve politike dhe të sigurisë. Ajo thotë se jo vetëm që mungojnë investimet e jashtme, por edhe shumë kompani vendore janë zmbrapsur nga investimeve ndërsa kuadri, në mungesë të perspektivës, po largohet nga vendi. “Në një vend siç është Maqedonia, me një pagë të garantuar prej 150 eurove dhe me 32 për qind të popullatës së papunë, nuk mund të pritet ndonjë investim i madh nga afaristë të jashtëm. Tensionet politike dhe ato ndëretnike që janë, gjithsesi që ndikojnë në largimin e investitorëve, pasi askush nuk dëshiron që kapitalin e tij ta investojë në një vend pa perspektivë dhe me probleme të mëdha”.
“Gjendja në Maqedoni asnjëherë nuk ka qenë me e rënduar se tani dhe përveç mungesës së investimeve, qytetarët përballen edhe me probleme të shumta sociale, ekonomike. Shumë prej tyre mezi arrijnë të sigurojnë mbijetesën, ndërsa kuadri i kualifikuar gjithnjë e më shumë po largohet nga vendi”, vlerëson Stojadinoviq.
Nga Qeveria thonë se gjendja ekonomike nuk është edhe aq e rëndë, siç pretendon opozita, apo ekspertë të afërt me të. Ata pranojnë se krizë ka, por në anën tjetër lavdërohen me të dhënat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, që sipas Qeverisë, Maqedoninë e pozicionojnë lartë si vend me kushte të favorshme për investime.
Nga ana tjetër, Zoran Vitanov, ish-zv.ministër i ekonomisë, thotë se pretendimet e qeverisë nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, mjafton të shihet rritja e borxhit publik për të konstatuar se buxheti ndodhet para kolapsit. “Nëse nuk arrihet ndonjë konsensus ekonomik, mendoj se edhe nipërit tanë do t’i fusim në borxh. Nëse arrijmë ndonjë marrëveshje, ne do të shlyejmë borxhin, por të paktën do t’i shpëtojmë fëmijët dhe nipërit tanë”, thekson Vitanov.
Opozita, nga ana tjetër, ka tërhequr vërejtjen se nëse borxhi vazhdon të rritet me dinamikën e deritashme, deri në fund të vitit, deficiti buxhetor do të arrijë në 420 milionë euro, ndërsa borxhi publik në 5 miliardë euro. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë, investimeve e huaja vazhdojnë të shënojnë rënie. Për tremujorin e parë të këtij viti, të dhënat ende nuk janë publikuar, por ato të fundvitit të kaluar tregojnë se investimet kanë qenë në shifrën 116 milionë euro, apo 38 milionë më pak se një vit më parë