Kosova

Mitrovica, axhendë festimesh për 28 Nëntorin

Në qytetin më të madh verior të Kosovës, Mitrovicë, komuna jugore ka organizuar veprimtari festive për Ditën e Flamurit e të Pavarësisë Shqiptare, 28 Nëntorin.

Teatri i qytetit të Mitrovicës, në bashkëpunim me Teatrin “Migjeni”, nga Shkodra, është duke e përgatitur për shfaqje dramën “Hisja e Diellit”, të autorit shkodran, Fadil Kraja.

Drama i kushtohet Heroit Kombëtar Isa Boletini dhe do të shfaqet në mbrëmjen e të shtunës, në 28 Nëntor 2015, në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Rexhep Mitrovica”.

“Regjisor i shfaqjes është artisti i njohur mbarëkombëtar Bruno Shllaku, i cili bashkë me Paskaulina Shllakun, i luajnë rolet kryesore”, thekson njoftimi dërguar nga komuna jugore e Mirovicës.

Sipas njoftimit, për festën e Ditës së Flamurit, nderohen dëshmorët e lirisë dhe pavarësisë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Mirovicës jugore organizon edhe koncert festiv të Ansamblit Artistik të Këngëve dhe Valleve, në mbrëmjen e sotme, si dhe Ekspozitën e Nëntorit me ndarjen e çmimit “Kadri Kadriu”, e cila hapet në 28 Nëntor, kur mbahet edhe Liga e Veteranëve në Futsall.

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”-Dega në Mitrovicë me rastin e 103 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë organizon sesion shkencor me temën: “Kontributi i Mitrovicës  në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë”. Sesioni, në 26 nëntor në Mitrovicë, mbahet nën patronazhin e Ministrisë kosovare të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button