María Fernanda Espinosa Garcés kërkon multilateralizëm
María Fernanda Espinosa Garcés është e gruaja e parë nga Amerika Latine që drejton Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Postin ajo e ka marrë në një kohë të vështirë. Vetë ajo lufton për multilaterizëm.
María Fernanda Espinosa Garcés ndodhet në zyrën e saj. Punonjësit e zyrës hyjnë e dalin. Asaj i duhet të aprovojë fjalimet, të caktojë oraret e takimeve, të nënshkruajë letrat. Sipas rastit në anglisht, spanjisht, frëngjisht.
Në zyrën e saj ajo ka tetë javë që punon. Gruaja nga Ekuadori është zgjedhur presidente e 73 e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, një detyrë që e ka filluar në shtator dhe do ta mbajë deri në shtatorin e ardhshëm. Është hera e katërt në historinë 73 vjeçare të Kombeve të Bashkuara, që një grua drejton „Parlamentin e njerëzimit”, në të cilin marrin pjesë 193 vende të botës plus dy vende që janë vende të ftuara.
Nga Gjermania kërkohet qëndrim multilteral
Espinosa Garcés e ka marrë postin e saj në kohë të vështira. Detyrat janë të mëdha, angazhimi i vendeve i ndryshme. “Ne kemi sot të bëjmë me probleme shumë të vështira si zhvillimi i ngadaltë dhe i pasigurtë i ekonomisë, pabarazi, ngrohje të klimës, tensione gjeopolitike dhe kriza humanitare. Dimensionin aktual të krizës së refugjatëve nuk e kemi patur që nga Lufta e Dytë Botërore,” tregon ajo. “Për probleme globale ekzistojnë vetëm zgjidhje multilaterale,” thotë ajo e vendosur. Ajo dëshiron të drejtojë Asamblenë e Përgjithshme si përfaqësuese e bindur e multilaterizmit.
Cili është kontributi i Gjermanisë?
Gjermania do të marrë mbas 1 janarit një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Kjo do të thotë se do të ketë në dy vitet e ardhshme përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në botë. “Për fat të keq vitet e fundit kemi parë që Këshilli i Sigurimit ka marrë vendime të papërshtatshme,”shpjegon Espinosa Garcés. Fajin për këtë e kanë qëndrimet e ndryshme për konfliktet ndërkombëtare. “Prandaj unë mendoj, se roli i Gjermanisë si platformë dialogu dhe ndërmjetës për marrëveshjet e përbashkëta është jashtëzakonisht relevant.” Gjermania luan një rol të rëndësishëm, jo vetëm për paqen dhe politikën e sigurimit, por edhe për të drejtat e njeriut dhe politikën e zhvillimit. Ajo e sheh Gjermaninë, si “një luftëtar i bindur për multilateralizmin dhe ne kemi nevojë të madhe për këtë.”
Me shikim drejt konferencës së Marrakeshit
Në politikën ndërkombëtare ekzistojnë edhe tone unilaterale. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi kohët e fundit: „Unë jam një nacionalist”. Megjithatë thotë Espinosa Garcés, SHBA është një aktor i rëndësishëm në sistemin multilateral. “Ne kemi parë që SHBA angazhohet në fusha të ndryshme si për shembull në fushën humanitare dhe mbrojten nga katastrofat.”
Ajo mendon se narrativat që bazohen në solidaritet dhe zemergjerësi, janë të domosdoshme për organizatën botërore. Ajo ka parasysh takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në Marrakesh në muajin dhjetor. Aty OKB do të nënshkruajë Paktin për Migracionin. Një tjetër pakt është duke u përgatitur, ai për refugjatët.
Për të është e rëndësishme, që çdo vend të marrë pjesë në angazhimet kolektive dhe të marrë përgjegjësi për temat globale, „për më tepër vendet e mëdha, Big Powers”. Këtu ajo ka parasysh edhe Kinën dhe Rusinë. “Ne pranojmë edhe vende që kanë mendim tjetër nga ai yni,” shpjegon ajo.
Pas pak asaj i duhet të largohet nga zyra për të shkuar në aeroport. Aty do të nisë fluturimin për Paris, në Forumin e Paqes, që zhvillohet në fundjavë, një lloj versioni në miniaturë i Kombeve të Bashkuara. Në Paris do të diskutohen shumë tema që janë të rëndësishme për Kombet e Bashkuara. Motoja e saj: „Ne jemi të gjithë të sigurt, që OKB duhet të bëhet më eficiente dhe të përshtatet me sfidat e sotme. Në Paris ajo do të luftojë për multilateralizmin.