Marrëveshja për gazin, ambasadorja amerikane në Greqi, Guilfoyle: Shqipëria partner i palëkundur i SHBA-së, aktor kyç në rajon
Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka vlerësuar rolin strategjik të Shqipërisë në rajon gjatë firmosjes së marrëveshjes trepalëshe SHBA–Shqipëri–Greqi për gazin natyror.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se Shqipëria mbetet një partner i palëkundur i Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një aktor kyç për Ballkanin.
Sipas saj, marrëveshja për gazin natyror dëshmon rëndësinë e Shqipërisë si një nyje ndërlidhëse për Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme për Evropën Juglindore.
“Shqipëria është një partner i palëkundur i SHBA dhe një vend strategjik për Ballkanin. Ka dy marrëveshje të rëndësishme që po nënshkruan sot: marrëveshja për gazin natyror, që tregon se Shqipëria luan një rol mjaft të rëndësishëm ndërlidhës për Ballkanin Perëndimor dhe ndihmon për të formësuar një të ardhme më të sigurt dhe më të mirëqenë për Evropën Juglindore. Siguria dhe begatia shkojnë krah për krah dhe memorandumi i mirëkuptimit për zhvillimin, ndërtimin dhe veprimtarinë e një qendre thelbësore energjetike, përfshirë një impiant gazi, dëshmon se qeveria i kushton rëndësi energjisë më të qëndrueshme për vendin”, tha ambasadorja.
Duke u ndalur te bashkëpunimi rajonal, ambasadorja theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke i cilësuar ato si më shumë se fqinjësi, por si partneritet me interesa të përbashkëta në siguri, ekonomi dhe lidhje njerëzore.
“Administrata Trump e ka ngritur bashkëpunimin energjetik si një shtyllë në marrëdhëniet tona dhe marrëveshja e sotme është një manifestim i kësaj gjëje. Lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA duhet të pranojnë rëndësinë e lidhjeve të forta Shqipëri-Greqi, që janë më shumë se fqinjë të afërt: ndajnë interesa të ndërsjella të sigurisë, lidhje njerëzore dhe bashkëpunim në rritje ekonomik. SHBA, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku qoftë në tregti apo energji, dhe i gjithë rajoni përfiton.
SHBA mbështet një rajon më të sigurt, më të mbështetur energjetikisht dhe më të begatë, dhe Shqipëria është thelbësore për këtë vizion. Shqipëria mbështet vizionin e presidentit Trump dhe mbështet themelet për një paqe dhe prosperitet afatgjatë. Të punojmë së bashku në partneritet për të forcuar sigurinë tonë dhe për t’i sjellë njerëzit tanë pranë njëri-tjetrit”, tha ajo.
Siguria energjetike është një prioritet i rëndësishëm, dhe së fundmi është shënuar një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike të vendit. Ky zhvillim po realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, duke reflektuar një partneritet strategjik në këtë sektor kyç.
Njëkohësisht, po zhvillohet edhe një ndërveprim konkret me Greqinë fqinje, që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e shkëmbimit energjetik. Këto përpjekje pritet të kontribuojnë në një sistem energjetik më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.