Kllounë në pasuritë tona
Nga Çapajev Gjokutaj
Detaj domethenes, treguar nga një i njohur që puna ia do të ndjekë mbledhjet e grupeve parlamentare: Jane mbledhje te zakonshme, me diskutime, thumbime, buzeqeshje etj.
Ama kur vijne kamerat, të dya palët ngrefosen, ngrënë tonin, bëhen agresivë. Sikur të mos ishin kamera, por urdhër sulmi.
Pse ky transformim?
Mendojnë se kështu bëhen më të pëlqyeshëm për zgjedhësit? Apo duan t’u tregojnë shefave se janë të përkushtuar dhe luftarakë? Apo nga që kontributin e politikanit e konceptojnë jo si mision por si rol, si show?
Diskutimi në se politikanët kryejnë mision apo luajnë role është i përbotshëm. Në anët tona problemi është se politikanët përgjithësisht luajnë role skeçesh dhe e kthejnë politikën në estradë.
Tejet i rreptë krahasimi? Kujtoni vetëm ç’kanë bërë me pronat e shqiptarëve. Nga deti i zullumeve po përmend vetëm 3-4 bulëza.
U dha me konçension Rinasi duke krijuar monopol. Rezultati: vendi më i varfër i Europës, blen biletat më të shtrenjta.
Thonë se është arritur marrëveshja për ta prishur këtë konçension. Nuk po na thonë sa do të dalin nga buxheti/xhepat tanë për të realizuar këtë koregjim të vonuar.
Rreth 700 milionë euro është xhirua vjetore e konçesioneve të naftës. Renta që i paguhet shtetit nuk i kalon 100 milionë euro. Arsyeja? Asnjë nga konçesionarët e naftës nuk ka rezultuar ende me … fitim.
Për ndërtimin e ‘Rrugës së Kombit’ ishin planifikuar 600 milionë dollarë. Dolën nga xhepat tanë 1.4 miliardë dhe rruga ende s’ka përfunduar. Për të mos thenë se eshte larg standardeve të një autostrade, madje edhe asaj të Kosovës.
Nuk po përmend politikat e nxituara, dritshkurtëra dhe krejt amatore që u ndoqën në privatizimin e tokës. Edhe për disa dekada prodhimi më i madh i tokës shqiptare nuk do të jenë drithërat, zarzavatet, foragjeret etj. Vendin e parë do ta zenë sherret, gjyqet, dhe ngurrimi i firmave të huaja që të investojnë. Kush hedh pare në troje me pronësi të diskutueshme?
Më falni, u shpreha gabim.
Këto nuk janë skeçe, janë tragjikomedi të luajtura nga një klasë politike, që nuk arrin as nivelin e estradave amatore, nga politikanë që bëjnë kllounin, jo në skenën e cirkut, por në pronat tona.