Rajoni

Marrëveshjet me NATO-n largojnë Serbinë nga neutraliteti i armatosur

Miratimi i marrëveshjes për Mbështetje Organizative dhe të Prokurimeve, NSPO me NATO-n ka shkaktuar debate të ashpra në Serbi dhe ka ngritur pikëpyetje për cënimin që mund të ketë kjo marrëveshje për doktrinën e shpallur të neutralitetit të armatosur të këtij vendi i cili po afrohet ndërkohë me NATO-n.

Bosko Jaksic, një ekspert i politikës së jashtme i tha BIRN të mërkurën se marrëveshja qe vetëm teknike dhe nuk sillte asgjë të re në marrëdhëniet mes Serbisë dhe NATO-s.

“Kjo në thelb nuk është asgjë e re; marrëveshja përmban vetëm detaje teknike dhe procedurale,” tha Jaksic.

Gjithsesi, ai beson se Serbia me të vërtetë po angazhohet në “bashkëpunim serioz” me NATO-n por për këtë qeveria po qëndronte relativisht në heshtje për shkak se ka frikë se mund t’i ulë popullaritetin.

“Çdo qeveri ka qenë duke bërë të njejtën gjë. Nëse jemi realistë, Serbia nmë fund do të bashkohet me NATO-n për shkak se çdo hap drejt BE-së përbën njëkohësisht edhe një hap pranë NATO-s,” komentoi ai.

“BE-ja ka politikë të fuqishme sigurie, e cila shpesh përputhet me politikën e sigurisë së NATO-s,” shtoi Jaksic, duke rikujtuar se Serbia, Bosnja dhe Maqedonia janë aktualisht të vetmet vende në Ballkan që nuk janë anëtare të Aleancës.

Komisioni Parlamentar për Mbrojtjen dhe Sigurinë miratoi nënshkrimin e marrëveshjes për mbështetje logjistike me NATO-n më 13 shkurt.

Marrëveshja NSPO “përfaqëson një bazë ligjore për themelimin e marrëdhënieve në fushën e logjistikës”, krijon kushtet teknike për modernizimin e Institutit të Riparimeve Teknike në Kragujevac dhe e përjashton Aleancën nga detyrimi për të paguar taksat dhe detyrimet doganore në Serbi.

Kritikat më të ashpra kanë ardhur nga Partia Demokratike e Serbisë, DSS, e cila i ka kërkuar presidentit Tomislav Nikolic të mos e dekretojë ligjin për marrëveshjen, duke argumentuar se ajo do ta “sjellë NATO-n në Serbi pa  një anëtarësim formal të Serbisë në NATO si dhe do ta hedhë Serbinë në një aleancë ushtarake anti-ruse.”

Kryeministri Aleksandar Vucic iu përgjigj më 16 shkurt kritikave duke argumentuar se ato qenë hipokrizi politike nga ata që pretendojnë se janë mbrojtës të serbëve në Kosovë si dhe shtoi se marrëveshja në thelb përbënte vetëm vijimësi të politikave të qeverisë së mëparshme. “Ne kemi nevojë për NATO-n si aleat për të ruajtur sigurinë e njerëzve tanë në Kosovë,” tha Vucic.

Sondazhet e opinionit publik mbi NATO-n kanë qenë thellësisht të ndara në Serbi për shkak se Aleanca e bombardoi këtë vend për 78 ditë radhazi në vitin 1999, për të detyruar Serbinë të tërheqë trupat ushtarake nga Kosova.

Shumë serbë vijojnë të mbeten të trishtuar nga humbja e Kosovës, duke argumentuar se Kosova është “djepi” i kombit serb.

Por pavarësisht se Beogradi deklaroi në vitin 2007 doktrinën e vet të neutralitetit të armatosur, Serbia ka marrë pjesë në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, një program që ka shërbyer për disa vende si fazë pregatitore për anëtarësim.

Bashkë me shpalljen e neutralitetit, gjithsesi Serbia nisi në vitin 2007 të marrë pjesë në disa aktivitete të përbashkëta me Aleancën, përfshirë programe për trajnimin e ushtrisë së vet në përputhje me standardet e NATO-s.

Një vit më vonë, Beogradi dhe NATO nënshkruan një marrëveshje sigurie për mbrojtjen e informacionit sekret dhe zyrtarisht Serbia hapi një mision në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel.

Në janar, Beogradi dhe NATO nënshkruan një Plan Veprimi Partneriteti Individual, i cili parashikon bashkëpunim mes forcave të Serbisë dhe ato të NATO-s në Kosovë, ku Aleanca i ka dhënë Beogradit ekspertizë për reformën e sektorit të mbrojtjes së brendshme dhe sigurisë.

Plani i ka dhënë Serbisë gjithashtu pjesëmarrje në programin e NATO-s Shkencë për Paqe dhe Siguri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button