Masakër në Las Vegas, 20 të vdekur e mbi 100 të plagosur
Policia në Las Vegas qëlloi të dyshuarin e sulmit, që i kushtoi jetën 20 personave e plagosi mbi 100 të tjerë, dhe nuk beson se ka ndonjë agresor të dytë, edhe pse verifikimet po vazhdojnë.
Incidenti që tronditi qytetin e kazinove ndodhi në afërsi të hotelit “Mandalay Bay”, e videot e ngarkuara në internet tregojnë qartë tmerrin e përjetuar nga njerëzit e mbledhur në koncertin e hapur të muzikës “country”, kur mbi turmën u hap zjarr.
Të shtënat ishin ato të një arme automatike dhe kanë vazhduar gjatë. Autori i sulmit ka qenë në katin e 32-të të hotelit dhe ka shtënë mbi turmën poshtë pa dallim e pa ndaluar.
“Pati shumë të shtëna, por ato të fillimit i ngjasonin zjarrit të mitralozit”, tha Danny, një turist australian.
Mes të plagosurve, 14 persona janë në gjendje kritike për jetën në spital. Forcat e policisë, që mbërriten me urgjencë në vendin e ngjarjes, i këshilluan njerëzit të largoheshin menjëherë prej andej. Sherifi Joseph Lombardo konfirmoi numrin e viktimave.
“Viktimat janë 20. Deri tani besojmë se bëhet fjalë për një agresor të vetem, një ujk vetmitar ta quajmë kështu. Efektivët patën një shkëmbim zjarri me personin që ndodhej në katin e 32-të të ndërtesës, e tani ai ka vdekur”, tha Joseph Lombardo.
Policia po përpiqet të flasë me një mikeshë të të dyshuarit, një vajzë me origjinë aziatike e quajtur Marilou Danley. Vendndodhja e saj nuk dihet ende. Sa për vet të dyshuarin, emri i tij nuk është bërë publik për momentin, por mendohet se bëhet fjalë për një banor lokal.
Mes të vdekurve ka edhe disa policë që ishin jashtë shërbimit. Shumë hotele të zonës janë mbyllur, së bashku me një pjesë të bulevardit të Las Vegasit, ndërsa njerëzit e ndodhur aty në kohën e incidentit kanë gjetur strehim nëpër restorantet rreth e rrotull dhe aeroportin “McCarran”, ku për shkak të ngjarjes së rëndë disa fluturime janë devijuar.