Ekonomia

Mbështetja japoneze/Dixhitalizimi i bujqësisë: Patforma ABA online informacion për zhvillimin e agro-biznesit të fermerëve të vegjël 

Një platformë interaktive dixhitale e krijuar për të përmbushur nevojat e fermerëve të vegjël shqiptarë në çdo hap të rritjes së agro-biznesit të tyre është ABA online, iniciuar nga Projekti për Përfshirjen Financiare të Fermerëve të Vegjël Shqiptarë (FiAS), mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Fushat kryesore të shërbimit ABA online publikon çmimet e tregut të produkteve bujqësore nga tregjet kryesore me shumicë të Shqipërisë (Lushnje, Divjakë dhe Tiranë) 3 herë në javë.

Në konferencën e organizuar në Tiranë, për të shpallur konkursin e promovimit të ABA online, merrnin pjesë Xhoana Hudhra, specialiste në Drejtorinë e Programeve të MFE-s, Jiro Takeichi, kryepërfaqësues i Zyrës së Ballkanit të JICA-s, Hiroko Tanaka, Këshilltare kryesore e projektit FiAS,  si dhe aktorë të rëndësishëm që operojnë në këtë sektor.

Në janar 2021  ABA online u lançua dhe ka 8.000 përdorues të regjistruar që nga shtatori i po këtij viti. Me qëllim zgjerimin e komunitetit të përdoruesve, që nga Tetori 2021 deri në Janar 2022 do të organizohet një konkurs për promovimin e ABA online, në mënyrë që të rritet vlera e shërbimeve të ofruara.

“Projekti i Përfshirjes Financiare të Fermerëve të Vegjël Shqiptarë ka një rëndësi të madhe për qeverinë shqiptare dhe veҫanërisht për sektorin rural në vendin tonë,”, theksoi Hudhra.

Kryetarja e Këshillit Drejtues, të FED Invest Zana  Konini  u shpreh se, “FED invest, që sot numëron rreth 79.748 anëtarë, është në vite partner i besuar dhe promotor i zhvillimit të sipërmarrjes, thuajse në mbarë territorin e vendit, duke i shërbyer një rrethi të gjerë klientele, nga segmentet më të përjashtuara nga aksesi në financë, deri te SME-të e realizuara”.

“Projektit FiAS, në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe JICA është një nga projektet më të rëndësishëm e të suksesshëm të FED invest. Qëllimi i tij këtij projekti është të nxisë përfshirjen financiare të ekonomive të vogla rurale, duke zhvilluar e ofruar shërbime dhe produkte financiare e jo financiare fleksibël, që i përgjigjen nevojave të fermerëve, nëpërmjet teknollogjive të reja”, tha Konini.

Konini nënvizon punën intesive të stafit të FED invest, Qeverisë Shqiptare dhe konsulencës së JICA-s, në adoptimin e një qasjeje fleksibël drejt përmbushjes së aktiviteteve të projektit gjatë periudhes sfiduese të pandemisë dhe përshtatjen shumë shpejt me komunikimin dhe punën online.

“Në dritën e “Projektit të Përfshirjes Financiare të Familjeve të Vogla në Shqipëri”, do të fillojmë një promovim mbarëkombëtar të platformës digjitale ABA Online, si një instrument shumë i rëndësishëm  për fermerët dhe sipërmarrësit e vegjël”, cilëson Jiro Takeichi shef JICA për Ballkanin.

Kurse, Hiroko Tanaka Këshilltare kryesore e projektit FiAS, theksoi se “ABA Online ka lindur nga dëshirat dhe ambicia e Projektit për t’i shërbyer nevojave të pronarëve të vegjël në Shqipëri: t’u sigurojë atyre informacionin jetësor mbi tregun agrar dhe teknologjinë e prodhimit agrar, si dhe mundësitë për t’u lidhur dhe takuar me blerësit potencialë. Këto janë informacione jetike për zhvillimin e bizneseve të tyre”.

Ndërsa Behar Gjoni, Drejtori i Biznesit në FED Invest dhe Menaxher i Qendres ABA, tha se “ABA online është një tjetër investim i ri në shërbim dhe në mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët dhe zhvillimin rural në Shqipëri”.

“Qëndra ABA Online është platformë e informimit në çdo aspekt që ka nevojë bujqësia sot, mbi tregjet, çmimet, financimin dhe  shkëmbimin e  eksperiencës, dhe modeleve më të mira të zhvillimit bujqësor, duke u shndëruar në një platformë interaktive edhe rajonale në përgjigje të çdo nevoje që i paraqiten fermerëve  për zhvillimin e ekonomisë bujqësore”, theksoi z.Gjoni.

 

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button