Mbi 2 mijë banorë pa transport urban në zonën e Pyjores pranë Zvërnecit
Në periferi të Vlorës, mungesa e transportit urban mbetet një problem i pazgjidhur për banorët e zonës së Pyjores. Prej vitesh, autobusi ndalon në zonën e ish-Sodës Kaustike dhe nuk vijon më tej, në drejtim të Nartës dhe Zvërnecit. Për të përdorur transportin publik, banorët duhet të përshkojnë qindra metra në këmbë deri në stacionin më të afërt.
Ata thonë se shërbimi është i domosdoshëm, pasi nuk kanë alternativa të tjera për të udhëtuar drejt destinacioneve të tyre. Mungesa e stacioneve të përshtatshme e vështirëson më tej pritjen, sidomos gjatë ditëve me temperatura të larta, reshjeve apo baltës.
“Kam 10 minuta që duhet të ishte nisur tani. Këtu ka qendrën, si përfundim jemi te Plazhi i Vjetër, po vijmë e presim derisa të vijë, pa e ditur se ashtu është trafiku. Çfarë të bëjmë, është e vështirë. Po kështu ka qenë gjithmonë. Këtu është i fundit. Ata andej vijnë në këmbë, këtu keq në vapë, keq në dimër, në baltë”, tha një banore.
Përveç banorëve, transporti urban do të ishte një mundësi e rëndësishme edhe për turistët vendas e të huaj që vizitojnë zonat e Nartës dhe Zvërnecit. Banorët vlerësojnë se zgjatja e linjës do të lehtësonte lëvizjen e pushuesve dhe do të rriste numrin e vizitorëve që zgjedhin këto destinacione.
“Me sa kam parë unë, s’ka urban, s’punojnë për turistët. Është problem. Do ngrihet niveli i turistëve, po s’ka bashki. Të gjithë e kanë. Në sezon, bari është i domosdoshëm për të gjithë. Do kishte dyfish njerëzit këtej. Vijnë ca me makina, ca me biçikleta, si unë. Urbani do ta shtonte goxha”, shprehet një tjetër qytetar.
Përgjatë zonës së Pyjores, pjesë e lagjes “24 Maji”, sipas të dhënave jetojnë mbi 2 mijë banorë, të cilët, në mungesë të transportit urban, detyrohen të lëvizin në këmbë, me biçikletë ose të përdorin taksi. Linja e autobusit nuk mbulon as të gjithë segmentin në brendësi të Pyllit të Sodës, që të çon drejt Nartës dhe Zvërnecit.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të zgjeruar itinerarin e transportit urban dhe për të vendosur stacione përgjatë zonës. Sipas tyre, një shërbim i tillë do të lehtësonte jetën e përditshme të komunitetit dhe do të përmirësonte aksesin në disa prej zonave turistike të Vlorës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.