Mbi 41 gradë në Elbasan, Bysheku mbetet streha e freskisë për qytetarët
Temperaturat përvëluese që kanë përfshirë Elbasanin kanë bërë që shumë qytetarë t’u drejtohen zonave me freski natyrore për të kaluar orët më të nxehta të ditës. Mes tyre, Bysheku vijon të mbetet një prej vendeve më të frekuentuara, ku çdo ditë mbërrijnë dhjetëra vizitorë në kërkim të hijes, ajrit të pastër dhe qetësisë.
“Busheku është për mua ambienti më i bukur. Unë nuk e ndërroj, edhe me Gjinarin nuk e ndërroj, që është vend i shkëlqyer edhe Gjinari”, tha një qytetar.
Për vizitorët, Busheku nuk ofron vetëm freskinë e burimeve natyrore, por edhe produkte tradicionale dhe një atmosferë çlodhëse, që e bën këtë zonë një zgjedhje të përhershme për familjet elbasanase.
“Këtu janë ushqimet bio, është bukuria e rrapave shekullorë dhe uji i freskët, i ftohtë, që kënaqemi këtu. Është një ambient që shumë shpesh bëj rreth një kilometër rrugë vetëm për të pirë një kafe. Sot kam ditëlindjen e gruas dhe kam përgatitur një drekë me njerëzit e mi. Besoj se do ta kalojmë bukur, sepse edhe vendi është i bukur”, tha një tjetët zotëri.
Frekuentuesit thonë se, pavarësisht kalimit të viteve, Bysheku vazhdon të mbetet simbol i freskisë për Elbasanin. Ata e konsiderojnë këtë zonë një nga vendet më të veçanta për të kaluar kohën gjatë ditëve me temperatura ekstreme.
“Qetësia që të jep kur vjen e viziton është një kënaqësi e veçantë. Në Elbasan gjithmonë është vlerësuar Bysheku për freskinë dhe ujin. Vazhdon të jetë i njëjti vend i veçantë për ne.”
E vlerësojmë dhe e zgjedhim për shkak të ujit, rrapat, na pëlqen si familje këtu. Është një vend i bukur, me pak fjalë”, shprehen qytetarët.
Prej dekadash, elbasanasit e kanë zgjedhur Byshekun si vend pushimi dhe relaksi pranë burimeve natyrore. Vitet e fundit, krahas vizitorëve vendas, kjo zonë po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj, duke u shndërruar në një nga pikat më të vizituara turistike të Elbasanit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.