Politika

Mblidhet Konferenca e Kryetarëve, PD: Procedurë e përshpejtuar për Byronë e Hetimit

Konferenca e Kryetarëve, e mbledhur paraditen e së enjtes, para nisjes së seancës parlamentare, u njoh me kërkesën e Partisë Demokratike per shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit “Për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit” (BKH).
Një ditë më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, paralajmëroi se opozita do të kërkojë sot në seancë, procedurë të përshpejtuar për këtë p/ligj.
Ditët e fundit PD ka këmbëngulur për ngritjen sa më shpejt të BKH-së, organi që do të hetojë zyrtarët e korruptuar. Një javë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se janë drejt përfundimit procedurat për ngritjen e kësaj strukture, që parashikon të luftojë korrupsionin edhe në nivelet e larta.
Ndërsa, LSI nga ana e saj, përmes deputetit Spartak Braho, kryetar i komisionit të Sigurisë, pohoi domosdoshmërinë e ngritjes sa më shpejt të këtij organi. Gjithashtu, ai theksoi se Byroja e Hetimit duhet të jetë nën varësinë e Prokurorisë së Përgjithshme.
Më 17 prill 2015, Gjykata Kushtetuese rrëzoi krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ngritja e së cilës ishte parashikuar në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, i miratuar në vitin 2014 me votat e maxhorancës.
Gjykata e konsideroi “të papajtueshëm me Kushtetutën”, ngritjen e kësaj strukture, e cila u kundërshtua nga opozita, por në atë kohë edhe nga Presidenti Bujar Nishani, i cili e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend. Ngritja e Byrosë së Hetimit ka dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht të FBI-së amerikane, e cila do të ndihmoje autoritetet shqiptare në funksionimin e këtij institucioni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button