Mblodhi 117.203 euro donacione për mjekim dhe i shpenzoi në baste: kallëzim penal kundër nikshiqases që mashtroi rreth 2.300 persona
Policia e Nikshiqit, në bashkëpunim me Sektorin për Punë Financiare-Informative dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore të Shtetit në Nikshiq, ka ngritur kallëzim penal kundër J.P., e cila nga shkurti i vitit 2025 deri në tetor 2026 kërkonte donacione për mjekim, ndërsa paratë e mbledhura i shpenzonte në platforma bastesh online.
Një grua nga Nikshiqi dyshohet se ka përfituar mbi 117 mijë euro përmes një mashtrimi me donacione për mjekim, ndërsa paratë e mbledhura i shpenzonte në baste online, siç njofton CdM, duke iu referuar njoftimit të Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi. Kundër J.P. është ngritur kallëzim penal për veprën penale të mashtrimit.
Sipas policisë, nga 17 shkurti 2025 deri më 23 tetor 2026, e dyshuara ka mashtruar rreth 2.300 persona fizikë dhe juridikë, duke u kërkuar donacione monetare kinse për nevoja mjekimi. Shuma e përgjithshme e mbledhur arrin në 117.203 euro.
Paratë, siç dyshon policia, në vend që të shkonin për mjekim, janë shpenzuar në platforma online bastesh te disa organizatorë të lojërave të fatit në Mal të Zi. Hetimi është zhvilluar nga oficerët e Departamentit të Sigurisë në Nikshiq, në bashkëpunim me Sektorin për Punë Financiare-Informative.
Kallëzimi penal është ngritur në koordinim me Prokurorinë Themelore të Shtetit në Nikshiq dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, për dyshimin e bazuar se J.P. ka kryer veprën penale të mashtrimit.
Drejtoria e Policisë u bën apel qytetarëve, personave juridikë dhe organizatave që, kur dhurojnë mjete financiare, të jenë të kujdesshëm dhe, kur është e mundur, të verifikojnë besueshmërinë e apeleve humanitare, identitetin e organizatorëve dhe qëllimin e mbledhjes së parave. Sipas policisë, mbajtja transparente e evidencës për mjetet e mbledhura dhe të shpenzuara mbron dhuruesit dhe ruan besimin në aksionet humanitare.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.