Mbrëmje e veçantë kushtuar trashëgimisë kulturore në Pallatin e Brigadave
Pasuritë e çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, nga veriu në jug u prezantuan mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Brigadave në një aktivitet të veçantë të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ku të pranishëm ishin edhe ekspertë të UNESCO-s.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të edicionit të 20-të të Konferencës Vjetore të Rrjetit të Ekspertëve të UNESCO-s për Trashëgiminë Kulturore Jomateriale në Evropën Juglindore. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se në mbrëmje
“Ndajmë vlerat dhe traditat tona, ndërsa sot dhe nesër vijon workshop-i mes stafeve tona teknike dhe ekspertëve të UNESCO-s, për të forcuar bashkëpunimin në ruajtjen dhe promovimin e kësaj pasurie të gjallë”, tha ministri Gonxhja.
Mes të ftuarve të shumtë, të pranishëm në mbrëmje ishin edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.
“Trashëgimia kulturore jomateriale është shumë më tepër se kujtesë e së shkuarës. Ajo është një pjesë e gjallë e identitetit tonë, e mënyrës se si e jetojmë dhe e tregojmë historinë tonë, si ruajmë veçantinë dhe njëkohësisht ndërtojmë ura mes njerëzve dhe kulturave”, u shpreh ministri Hoxha.
Ai theksoi se ruajtja, promovimi dhe përcjellja e kësaj trashëgimie te brezat e rinj është një përgjegjësi e përbashkët, por edhe një mundësi për ta kthyer kulturën në një hapësirë edhe më të fuqishme bashkëpunimi mes vendeve tona.
Ministri Hoxha falënderoi ministrin Blendi Gonxhja dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit për organizimin e kësaj mbrëmjeje të veçantë, e cila solli në vëmendje tingujt, vallet, traditat dhe shpirtin e pasur të kulturës shqiptare.
Zëvendëskryeministrja Koçiu e cilësoi trashëgiminë kulturore si një nga pasuritë më të çmuara të një kombi.
“Në rrugën drejt Bashkimit Evropian, Shqipëria nuk ka vetëm çfarë të mësojë e të përvetësojë, por edhe shumëçka për të ndarë. Sepse Evropës nuk i përkasim duke lënë pas atë që jemi, por duke ulur me krenari në tryezën e madhe të familjes evropiane historinë, identitetin dhe vlerat tona unike”, u shpreh Albana Koçiu.
Mbrëmja shërbeu si një dëshmi e pasurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare dhe e rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen dhe përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.