“Mbreti Luan” vjen në Teatrin e Kukullave, produksioni më i madh i realizuar deri tani
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit bëri të ditur se “Mbreti Luan” do të vijë së shpejti në skenën e Teatrit të Kukullave, në një produksion të veçantë, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se, shfaqja sjell një kombinim të kukullave anatomike, të realizuara përmes disa teknikave, projeksioneve imersive dhe një skene që do të transformohet në një hapësirë safari, duke krijuar një përvojë të re për publikun.
Produksioni do të përfshijë 11 aktorë në skenë dhe cilësohet si produksioni më i madh i realizuar deri tani në Teatrin e Kukullave.
“Për herë të parë në Teatrin e Kukullave, po merr jetë një projekt i pazakontë, i pari i këtij lloji në Shqipëri!”, shprehet Gonxhja, teksa njoftoi se “Mbreti Luan” do të jetë së shpejti pjesë e programit të teatrit.
Përmes ndërthurjes së artit të kukullave me teknologjinë e projeksioneve imersive, shfaqja synon të sjellë një eksperiencë të re skenike për fëmijët dhe familjet.
“Mbretit Luan” është një prej historive më të njohura të kulturës popullore bashkëkohore, e cila rrëfen historinë e luanit të ri Simba dhe rrugëtimin e tij drejt marrjes së përgjegjësisë dhe trashëgimisë së familjes. Historia u bë veçanërisht e njohur për publikun botëror përmes filmit të animuar të Disney-t të vitit 1994, i cili u shndërrua në një prej produksioneve më të suksesshme të animacionit.
Vepra është përshtatur ndër vite edhe për skenën teatrore, duke u shndërruar në një nga muzikalet më të njohura ndërkombëtare. Versioni skenik “The Lion King”, u shfaq për herë të parë në Broadway në vitin 1997 dhe është vlerësuar për përdorimin inovativ të kukullave, maskave, kostumeve dhe elementeve të teatrit fizik.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.