Mbrojtja e kreut, Besa udhëton drejt Vlorës bashkë me lojtarin e 12-të
Faza e dytë nis me një provë “zjarri” për Besën, por njëkohësisht edhe me një ndeshje ku maten forcat dhe pretendimet e skuadrës së Gugash Maganit. Sot, në orën 16:00, kavajasit do të jenë mysafirë të Flamurtarit në Vlorë, në një duel direkt për kreun, ku pritet të kenë edhe mbështetjen e tifozerisë së tyre.
Përmes postimeve dhe thirrjeve të fundit në rrjetet sociale, bëhet e ditur se ka nisur organizimi i tifozëve kavajas, në mënyrë që skuadra e zemrës të mos jetë vetëm në këtë transfertë të rëndësishme. Shoqata e tifozëve “Miqtë e Besës” ka vënë në dispozicion autobusë falas për tifozët verdhezi që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Vlorës.
Sipas njoftimit të organizatorëve, nisja do të bëhet sot nga qendra e qytetit, në orën 13:30. Një mbështetje e rëndësishme për Besën, e cila kërkon të dalë me rezultat pozitiv nga kjo përballje dhe të ruajë pozitat në krye të renditjes.
Besa e mbylli fazën e parë brenda objektivave, duke kryesuar me 21 pikë, po aq sa Iliria, por me statistika më të mira. Gjatë 11 javëve të para, kavajasit kanë qenë thuajse gjithmonë në zonën e kreut, duke e kryesuar kampionatin pas javëve të treta, të shtata dhe të fundit, atë të 11-të.
Në gjashtë javë të tjera, Besa ka mbajtur vendin e dytë, duke treguar qëndrueshmëri në garën për ngjitjen në Superiore. Verdhezinjtë kanë edhe sulmin më të mirë të kampionatit, me 23 gola të shënuar në 11 ndeshje, gjashtë prej të cilëve mbajnë firmën e Manfredas Ruzgis. Fitoren më të thellë në fazën e parë, Besa e regjistroi në transfertën e Librazhdit, ku mposhti Sopotit me rezultatin 4-0. Tashmë, sfida me Flamurtarin është një test i rëndësishëm për kavajasit, që synojnë të nisin fazën e dytë me një tjetër rezultat pozitiv dhe të mbrojnë kreun e klasifikimit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.