“Mbrojtja e sinjalizuesve”- Pr/ligji, efikas në ndëshkimin e korrupsionit
Komisioni parlamentar i Ligjeve nisi sot shqyrtimin e shqyrtimin e projektligjit “Për mbrojtjen e sinjalizuesve”, që përcakton rregullat për sinjalizimin e një praktike të dyshuar korrupsioni nga sinjalizuesit, në sektorin publik apo privat.
Në prezantimin e projektit, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe të Antikorrupsionit, Bledi Çuçi theksoi rëndësinë e kësaj nisme ligjore që synon të adresojë drejtpërdrejt luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, ky projekt do të jetë një instrument efikas jo vetëm në parandalimin, por dhe ndëshkimin e korrupsionit në sektorin publik.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, Dewi De Weerd , garantoi mbështetjen e saj për këtë nismë ligjore që lufton fenomenin, duke e çmuar si ndihmesë edhe për plotësimin e njërit prej rekomandimeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Së fundi kemi folur shumë për çështjet e korrupsionit, por mendoj se është koha e duhur, që të vendosim disa mekanizma, për ta luftuar atë në mënyrë konkrete. Ky draft bën pikërisht këtë. Është shumë inovativ dhe i nevojshëm për Shqipërinë, në këtë moment, për të cilën lufta kundër korrupsionit është një nga pesë prioritet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ky legjislacion është shumë i nevojshëm, pasi është adoptuar dhe në vende të tjera evropiane dhe duhet të plotësojë strukturën e legjislacionit antikorrupsion në Shqipëri”, u shpreh ambasadorja De Weerd.
Në fund të mbledhjes u ra dakord që komisioni të zhvillojë seanca dëgjimore me grupet e interesit, për këtë nismë ligjore.
Pr/ligji i qeverisë, që sanksionon të drejtën e konfidencialitetit për sinjalizuesin, është i ndërtuar në dy shtylla kryesore. Së pari ai parashikon një procedure të re ligjore për hetimin e pretendimeve të sinjalizimit për një veprim korrupsioni dhe shtylla e dytë është sanksionimi i masave mbrojtëse për sinjalizuesit nga çdo veprim hakmarrës, që dëmton interesat e tyre ligjshme si sinjalizues.
Drafti është hartuar në mbështetje të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2015-2020 dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit 2015-2017, të miratuara nga qeveria. Nisma ligjore e qeverisë është e një rëndësie të veçantë pasi lidhet me forcimin e luftës kundër korrupsionit, si një prej pesë prioriteteve kyçe në hapjen e negociatave për pranimin në BE dhe rekomandimeve të Progres Raporti të vitit 2015 për Shqipërinë