🌦️
Tiranë 17°C · Rrebesh i lehtë 14 Nëntor 2026
S&P 500 7,562 ▼0.4%
DOW 52,348 ▲0.1%
NASDAQ 25,136 ▼0.91%
NAFTA 88.56 ▼0.2%
ARI 3,886 ▲0.03%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736 EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736
₿ CRYPTO
BTC $67,240 ▼ -3.12% ETH $1,910 ▼ -2.75% XRP $0.9959 ▼ -2.83% SOL $75.9500 ▼ -5.97%
S&P 500 7,562 ▼0.4 % DOW 52,348 ▲0.1 % NASDAQ 25,136 ▼0.91 % NAFTA 88.56 ▼0.2 % ARI 3,886 ▲0.03 % S&P 500 7,562 ▼0.4 % DOW 52,348 ▲0.1 % NASDAQ 25,136 ▼0.91 % NAFTA 88.56 ▼0.2 % ARI 3,886 ▲0.03 %
EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736 EUR/USD 1.1038 EUR/GBP 0.8352 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 90.7576 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6246 EUR/TRY 55.5927 EUR/JPY 176.36 EUR/CAD 1.5736
14 Nën 2026
Breaking
Opinion

Shqipëria mes Brukselit dhe Portës së Lartë: Nga shteti i së drejtës te shteti i mikut

Shqipëria mes Brukselit dhe Portës së Lartë: Nga shteti i
Në një vend demokratik europian, qytetari nuk ka pse të kontaktojë kryeministrin për të marrë një shërbim publik apo të kërkojë numrin e telefonit të deputetit për të zgjidhur një problem me administratën.

Për këtë ka institucione, me kompetenca të përcaktuara, procedura, afate të detyrueshme dhe mekanizma ankimi. Qëllimi i tyre është të garantojnë shërbime të barabarta dhe mbrojtje nga arbitrariteti i zyrtarëve, pa pasur nevojë për njohje personale apo ndërhyrje politike.

Në Shqipëri, Edi Rama ka ndërmarrë dy nisma që nuk kanë lidhje me një qeverisje europiane. “Fol me Kryeministrin” i fton njerëzit t’i drejtohen personalisht kreut të qeverisë për hallet e tyre të përditshme. Paralelisht, me “Praninë Besnike”, deputetët e Partisë Socialiste marrin rolin e ndërmjetësve për ankesat e qytetarëve ndaj zyrave të shtetit.

Dëgjimi dhe afërsia me qytetarët janë pjesë e jetës demokratike. Por kur komunikimi i drejtpërdrejtë me pushtetarin bëhet mënyra për të marrë një shërbim publik apo për të lëvizur një dosje, diçka prishet në thelbin e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjes. Njerëzit fillojnë të besojnë se ligji nuk mjafton; duhet edhe dora e “Maliqit” me ndonjë ferman nga lart.

Kjo praktikë e njohur historikisht është tipar i pushtetit absolut dhe patrimonial, ku sundimtari merr përsipër të zgjidhë personalisht hallet dhe ankesat e nënshtetasve, duke forcuar autoritetin e tij dhe varësinë e tyre ndaj tij.

Në Perandorinë Osmane, kjo bëhej përmes dëgjesave në Divanin Perandorak apo peticioneve (arzuhal) që i paraqiteshin sulltanit, përfshirë daljet e tij për faljen e xhumasë.

Traditë e ngjashme ekzistonte edhe në monarkitë europiane, me figurën e mbretit që jepte drejtësi (Roi justicier), si Luigji IX i Francës, i cili, sipas rrëfimeve historike, dëgjonte ankesat e nënshtetasve nën lisin e Vincennes.

Këto dëgjesa forconin lidhjen personale mes sundimtarit dhe nënshtetasve, të cilët e perceptonin zgjidhjen e halleve si mëshirë dhe mirësi të sovranit, duke i mbetur atij mirënjohës për ndërhyrjen.

Në sisteme të tilla të personalizuara kultivohej bindja se fajin për zvarritjet dhe padrejtësitë e kishin nëpunësit dhe vezirët, ndërsa sundimtari ishte i drejtë dhe dashamirës. Kjo e ndihmonte kreun e pushtetit t’i shmangej përgjegjësisë për administratën që vetë drejtonte. Demek, pashallarët, kadinjtë e kajmekamët bëjnë zullumet, sulltani shpërndan drejtësinë dhe populli thërret “Rroftë Padishahu!”

Kjo logjikë e vjetër e pushtetit personal po rikthehet në një formë të modernizuar, me platforma digjitale, rrjete sociale dhe deputetë që shërbejnë si ndërmjetës.

Problemi i parë dhe më i dukshëm i këtyre nismave është se ato përbëjnë një pranim të heshtur të dështimit të institucioneve.

Edi Rama ka më shumë se trembëdhjetë vjet në krye të qeverisë. Gjatë kësaj kohe, Partia Socialiste ka pasur mundësinë të ndërtojë, reformojë dhe drejtojë administratën publike, të përcaktojë standardet e shërbimit, të emërojë drejtuesit dhe të vendosë mekanizmat e kontrollit. Për këtë administratë janë shpenzuar çdo vit miliarda euro.

Prandaj, kur qytetarët detyrohen t’i drejtohen personalisht kryeministrit për të marrë një përgjigje nga institucionet, pyetja e parë duhet të jetë se përse këto institucione nuk po funksionojnë siç duhet. Përse ato kanë dështuar?

Për më tepër, dështimi i tyre nuk trajtohet si problem institucional që duhet zgjidhur, por procedurat, praktikat dhe vendimmarrja që u takojnë atyre zëvendësohen me kanale informale vendimmarrjeje, që bien ndesh me procedurat e caktuara me ligj. Rezultati është një shtet që nuk funksionon sipas ligjit, por sipas praktikave jashtëligjore, në mos antiligjore.

Nga ana tjetër, përfshirja e deputetëve socialistë përmes të ashtuquajturës “Prania Besnike”, si të ishin në një lloj mytesarifi modern, ngre një problem serioz institucional. Deputetët kanë detyrimin të përfaqësojnë qytetarët dhe të kontrollojnë veprimtarinë e qeverisë. Por në vend që të kontrollojnë qeverinë, ata kthehen në shtojcë të ekzekutivit.

Për më tepër, kur aksesi te shërbimet publike kalon përmes përfaqësuesve të partisë në pushtet, zbehet ndarja e qartë mes shtetit dhe partisë, një praktikë antidemokratike që bie ndesh me standardet europiane.

Në Shqipëri, ku kultura e ndërhyrjeve me mik në administratë ka rrënjë të thella, ndërmjetësimi politik mund të forcojë marrëdhëniet klienteliste. Një qytetar që merr një pension të vonuar apo një dokument pronësie pas ndërhyrjes së deputetit mund të krijojë një ndjenjë mirënjohjeje dhe detyrimi ndaj tij. Dhe këtë mirënjohje duhet ta shprehë me votë. Kështu krijohet një marrëdhënie e pastër varësie klienteliste në raportin qytetar-qeveri.

Kjo varësi ka pasoja për lirinë politike të qytetarëve. Një biznesmen që pret një leje, një familje me një çështje pronësie të pazgjidhur apo një përfitues i ndihmës ekonomike mund të ngurrojë të kritikojë pushtetin nëse beson se zgjidhja e problemeve të tij varet nga marrëdhëniet me përfaqësuesit e mazhorancës. Ndjenja e detyrimit mund të ndikojë në sjelljen politike edhe pa pasur presion të drejtpërdrejtë.

Ndërmjetësimi personal krijon gjithashtu mundësi për përfitim në komunikimin politik. Kur një institucion vonon një shërbim, përgjegjësia mbetet te administrata. Kur çështja zgjidhet pas ndërhyrjes së kryeministrit, merita i atribuohet atij personalisht.

Historitë e qytetarëve të ndihmuar mund të marrin vëmendje të madhe publike, ndërsa shkaqet e vonesave dhe përgjegjësia e institucioneve mbeten në plan të dytë.

Këtu lind një problem edhe më i thellë.

Në këto kushte, çfarë interesi ka pushteti për të ndërtuar një administratë që funksionon pa ndërhyrjen e tij, kur pikërisht këto ndërhyrje i sjellin mirënjohje dhe përfitime politike? Sa më shumë halle zgjidhen përmes politikanëve, aq më shumë forcohet varësia prej tyre.

Kështu krijohet një sistem ku dështimi institucional mund të kthehet në avantazh politik, duke dobësuar nxitjen për reforma të mirëfillta.

Në fund, çështja është se çfarë modeli administrimi po ndërtohet. Qeveria duhet të përdorë ankesat e qytetarëve për të identifikuar problemet e përsëritura, për të përmirësuar procedurat dhe për të vendosur përgjegjësi. Nëse një mijë njerëz ankohen për vonesat në kadastër, kjo duhet të çojë në shqyrtimin e funksionimit të kadastrës dhe në masa që vlejnë për të gjithë aplikuesit. Po kështu, deputetët mund t’u shërbejnë zgjedhësve përmes kontrollit parlamentar, kërkesave për raportim dhe nismave ligjore që adresojnë problemet e evidentuara.

Në një kohë kur Shqipëria po kërkon të anëtarësohet në BE, po ndërmerren nisma që të kujtojnë kohën e dovletit, kur hallet zgjidheshin me ndërhyrjen e të fuqishmëve dhe qytetari përulej para Portës së Lartë.

Suksesi i një kryeministri dhe i një qeverisjeje matet nga funksionimi i shërbimeve publike dhe i qeverisjes në mënyrë të paanshme dhe efikase për të gjithë.

Përndryshe, do të vazhdojmë të kemi një shtet ku administrata të sorollat, deputeti të ndërmjetëson dhe kryeministri sulltanik të shpëton. Dhe pas çdo problemi të zgjidhur, qytetari do të përsërisë shprehjen e vjetër që duhej ta kishim lënë pas prej kohësh: “Ishalla na del ndonjë mik.”

Kam korrigjuar gabimet drejtshkrimore, gramatikore, të pikësimit dhe disa mospërputhje sintaksore, duke ruajtur përmbajtjen, argumentimin, strukturën dhe tonin ironik të origjinalit. Nuk kam bërë ndryshime substanciale editoriale apo verifikim faktesh.

Shpërndaje te miqtë

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.