Media italiane: Trafik ndërkombëtar kokaine, mbi 14 milionë euro të pastruara dhe të transferuara në Shqipëri me flori
Dy kompani në Milano dhe Lecco janë vënë në shënjestër të autoriteteve italiane të antimafias, nën dyshimin për pastrim parash që rridhnin nga trafiku ndërkombëtar i kokainës mes Italisë, Holandës, Gjermanisë dhe Shqipërisë.
Sipas hetimeve, organizata përbëhej pothuajse tërësisht nga shqiptarë, ndërsa paratë pastroheshin në Itali dhe më pas dërgoheshin në Shqipëri. Veprimtaria dyshohet se i ka sjellë organizatës kriminale mbi 14 milionë euro. Dy kompanitë janë sekuestruar.
Operacioni “Caveau 38”
Operacioni i koduar “Caveau 38”, i drejtuar nga Drejtoria e Qarkut kundër Mafias në Milano, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, i çoi hetuesit në gjurmët e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shqiptarë.
Hetimet lidhen me trafikimin ndërkombëtar të rreth 240 kilogramëve kokainë, si dhe me grumbullimin dhe transferimin në Shqipëri të mbi 14 milionë eurove në para të gatshme.
Guardia di Finanza ka zbatuar një masë urgjente sekuestroje parandaluese ndaj dy kompanive në Lecco, që dyshohet se përdoreshin nga organizata kriminale shqiptare.
Si dyshohet se pastroheshin paratë e drogës
Sipas hetimeve, pastrimi i parave kryhej edhe përmes blerjes së shufrave të arit, me një peshë totale prej afro 8 kilogramësh. Ari blihej në Itali nga një kompani që vepronte në sektorin e përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria. Edhe kjo kompani është vendosur nën sekuestro.
Pasi pastroheshin përmes veprimtarive të tjera të ligjshme, paratë transferoheshin në Shqipëri. Kompania e dytë e sekuestruar dyshohet se shërbente si “kasafortë e grupit kriminal”, duke investuar në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Për kompanitë e sekuestruara është caktuar një administrator gjyqësor. Në kuadër të hetimit janë nën hetim 52 persona, krahas dy kompanive, për veprime të kryera gjatë periudhës 2019–2022.
Sipas hetuesve, për organizimin e transaksioneve të veçanta të drogës dhe të parave të gatshme përdoreshin sisteme mesazhesh të enkriptuara.
Gjatë hetimeve janë sekuestruar gjithashtu mbi 1,5 milionë euro në para të gatshme dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe marijuanë. Gjashtë persona janë arrestuar në flagrancë./Il Giorno



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.