SHBA – Melania Trump bën thirrje për një armëpushim më të qëndrueshëm ruso-ukrainas
UASHINGTON, 5 nëntor /ATSH-AFP/ – Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, bëri thirrje për një armëpushim të ri dhe më të qëndrueshëm në Ukrainë, ndërsa priti sot në Shtëpinë e Bardhë përfaqësues nga vendi i përfshirë në luftë dhe nga Rusia.
Melania Trump kishte ndihmuar më herët në negocimin e një armëpushimi gjashtëditor në qytetin Oleshky, të pushtuar nga Rusia, i cili përfundoi të dielën.
Kjo ndërprerje e shkurtër e luftimeve ishte një nga rastet më të spikatura të bashkëpunimit mes Rusisë dhe Ukrainës që prej nisjes së pushtimit rus në vitin 2022.
“Shpresoj që Oleshky të shërbejë si frymëzim për një paqe më të gjerë. Çdo ndryshim i rëndësishëm nis me një shkëndijë të vogël”, deklaroi Znj.Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp me të dërguarin e posaçëm të presidentit rus, Kirill Dmitriev, dhe negociatorin ukrainas për armëpushimin, David Arakhamia.
“Tani duhet të përdorim guximin që treguam në Oleshky për të gjetur pika të përbashkëta, duke u bashkuar rreth shqetësimit për vuajtjet e njerëzve të pafajshëm. Së bashku mund të krijojmë diçka më të qëndrueshme sesa një armëpushim të përkohshëm”, shtoi ajo.
Melania Trump bëri të ditur gjithashtu se u kishte dërguar letra personale presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Nga ana e tij, Dmitriev falënderoi zonjën e Parë amerikane në emër të presidentit Putin dhe popullit rus për rolin e saj humanitar në zgjidhjen e situatës në Oleshky.
Ndërkohë, Avokati i Popullit për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, Dmytro Lubinets, i dorëzoi asaj një çmim kombëtar në shenjë vlerësimi për ndërmjetësimin e armëpushimit, i cili mundësoi evakuimin e civilëve.
Ndërprerja e luftimeve, megjithëse e shkurtër, u respektua nga të dyja palët dhe mundësoi çminimin e rrugëve, si dhe largimin e banorëve drejt Ukrainës ose Rusisë.
Melania Trump është përfshirë gjithashtu në përpjekjet për kthimin e fëmijëve ukrainas të dërguar në Rusi. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.