Keshilla

Meditimi, gjithçka që duhet të dini

Heq stresin, heq simptomat e ankthit dhe të depresionit dhe është një “ilaç” për të gjithë ata që e kanë të vështirë të përqendrohen: disa përfitime të papritura, por shkencërisht të provuara të një praktike që ka origjinë antike, e që po përjeton një sukses të ripërtërirë

Heq stresin, heq simptomat e ankthit dhe të depresionit dhe është një “ilaç” për të gjithë ata që e kanë të vështirë të përqendrohen: për përfitimet që meditimi sjell është folur shpesh, por kjo disiplinë (në të gjitha manifestimet e saj të ndryshme), nëse praktikohet vazhdimisht, mund të japë edhe më shumë avantazhe të papritura. Le të shohim së bashku disa prej tyre, nga më të rëndësishmet dhe të çuditshmet, të gjitha të provuara shkencërisht.

  1. E bën trurin me “muskuj”

Studimet MRI (rezonanca magnetike) të Universitetit të Harvardit te një grup studentësh që u kthyen nga një kurs tetëjavor meditimi, treguan një trashje të materies gri në zonat e trurit të lidhura me ndjeshmërinë e trupit dhe dhembshurinë për të tjerët. Në të njëjtën kohë, tek ata u regjistrua një rënie e vëllimit të amygdalës (një rajon i trurit që lidhet me stresin dhe frikën) dhe një rritje të materies gri te “lëvorja” ballore, përgjegjëse për disa funksione njohëse të larta, si për përqendrimin dhe aftësinë vendimmarrëse.

  1. Vepron si antiinflamator

Një studim ndërkombëtar i publikuar në vitin 2013 dhe i kryer nga studiuesit e Wisconsin (SHBA), Spanjës dhe Francës, ka treguar se si tetë orë meditimi intensiv, të praktikuara nga ekspertët e kësaj disipline, janë të mjaftueshme për të “fikur” aktivitetin e gjeneve të caktuara që kanë të bëjnë me origjinën e proceseve inflamatore. Një tjetër studim holandez i publikuar në vitin 2014, ka treguar se meditimi mund të veprojë mbi sistemin nervor simpatik, duke promovuar relaksin e substancave antiinflamatore dhe duke ulur prodhimin e substancave që stimulojnë proceset inflamatore. Pra, ky është një lajm i mirë për ata që vuajnë nga format e inflamacionit kronik.

  1. Rrit temperaturën e trupit …

Sipas një studimi të Universitetit të Singaporit të publikuar në PLoS ONE, praktikimi i një forme të veçantë meditimi, si për shembull, ajo e murgjve tibetianë (të ashtuquajtur g-Tummo) bën të mundur rritjen e temperaturës së trupit. Kjo metodë është shumë e mirë nëse praktikohet gjatë dimrit, kur edhe temperaturat janë të ulëta.

  1. … dhe ul presionin e gjakut

Meditimi mund të favorizojë çlirimin në gjak të oksidit nitrik (një substancë që provokon relaksimin e enëve të gjakut), duke i siguruar kështu gjakut “tuba” më të gjerë ku ai mund të rrjedhë. Ja përse kjo praktikë, së bashku me një stil jete të shëndetshme, mund të ndihmojë këdo që vuan nga tensioni i lartë i gjakut, duke e ulur atë.

  1. Ju mban të rinj

“Një sesion meditimi në ditë … heq bastunin.” Kjo do të ishte shprehja e duhur në këtë rast. Në fakt, meditimi mund të ngadalësojë procesin e plakjes qelizore. Disa studime, duke përfshirë një sërë hulumtimesh të Universitetit të Kalifornisë në Davis, kanë treguar se meditimi përmirëson aktivitetin e enzimës së telomerazës, e cila rindërton dhe zgjat telomeret, sekuencat e ADN-së të vendosura në fund të kromozomeve. Mbrojtja e telomereve është thelbësore për të garantuar jetëgjatësinë e qelizave.

  1. Mund të jetë më çlodhës sesa gjumi

Në një studim të kryer në vitin 2006, një grupi studentësh universitarë iu kërkua që të zgjidhnin mes gjumit, meditimit ose të parit televizor, përpara se të bënin një test për të verifikuar nivelin e tyre të vigjilencës. Kush meditoi, mori rezultate më të mira, me 10%, në krahasim me këdo që bëri një sy gjumë apo që pa televizor.

  1. Është një “ilaç” i fuqishëm për lehtësimin e dhembjeve

Meditimi mund të ndihmojë shumë persona, të cilët vuajnë nga ndonjë sëmundje, sepse duke u çliruar nga mendimet negative nëpërmjet kësaj disipline, dhembjet që përjetojnë bëhen më të lehta.

  1. Aleat i grave

Praktikimi i meditimit dhe i disiplinave të tjera me origjinë orientale si, tai chi dhe joga,mund të “zbusë” simptomat më të zakonshme të menopauzës, si afshet, shqetësimet e gjumit, luhatjet e humorit, dhembjet muskulore etj.

Burimi: Revista Focus

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button