MEPJ: Shqipëria përgëzon shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin e zgjedhjeve në Serbi
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri të ditur se Shqipëria përgëzoi Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës për rezultatin në zgjedhjet parlamentare në Serbi të zhvilluara një ditë më parë.
Sipas MEPJ, zhvillimet në Serbi dëshmojnë rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik.
“Energjia qytetare që gjen përfaqësim përmes institucioneve është një mundësi për ndryshim, por edhe një përgjegjësi për ata që marrin besimin e qytetarëve. Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë shënuar një rezultat të rëndësishëm në këto zgjedhje”, njoftoi MEPJ.
MEPJ theksoi se sipas projeksioneve paraprake, dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.
“Ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime”, njoftoi më tej MEPJ.
Në këtë kapitull të ri politik për Serbinë, MEPJ nënvizoi se normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës mbetet një përgjegjësi thelbësore.
“Shqipëria pret një angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore. Ndryshimi politik duhet të krijojë mundësi të reja edhe për paqen dhe bashkëpunimin në rajon”, theksoi MEPJ.
Gjithashtu sipas MEPJ-së, Shqipëria mbetet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.
Koalicioni Shqiptar i Luginës së Preshevës fitoi dy mandate në Kuvendin e Serbisë sipas projeksionit të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) dhe Ipsos, me 56 për qind të mostrës së përpunuar.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.