BRUKSEL – NATO forcon mbrojtjen e Ukrainës para dimrit
PARIS, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Pesë vendet më të fuqishme evropiane të NATO-s synojnë të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës përpara dimrit të ardhshëm, duke i siguruar sisteme të mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera ushtarake.
“Ne kemi përgatitur paketa ndihme për dimrin, në kuadër të mbështetjes sonë për Ukrainën”, deklaroi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me homologët e tij nga Franca, Polonia, Britania e Madhe dhe Italia.
“Do të bëjmë gjithashtu gjithçka që është e mundur për të siguruar që SHBA-ja të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me furnizime, veçanërisht me informacione të inteligjencës dhe të dhëna satelitore”, shtoi ai.
Pesë vendet, të njohura si grupi E5, po bashkëpunojnë gjithashtu me Ukrainën për ndërtimin e një sistemi të mbrojtjes ajrore.
“Qëllimi është të mbrojmë ukrainasit nga sulmet ajrore, krahas sistemeve “Patriot” dhe sistemeve të tjera”, tha Pistorius.
Ai akuzoi presidentin rus, Vladimir Putin, se po ushtron terror ndaj popullsisë civile.
Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë mbrojtje kundër sulmeve ajrore dhe raketore
Radmila Sekerinska, zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s, e cila mori pjesë në takimin ministror të grupit E5, tha se diskutimet u përqendruan te rritja e ndihmës evropiane për Ukrainën në disa fusha, përfshirë burimet financiare, pajisjet dhe furnizimet ushtarake.
Ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i dërgimit të vazhdueshëm të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe pajisjeve të tjera jetike për Ukrainën, përmes kanaleve të ndryshme të furnizimit.
Sipas Sekerinska, kërcënimi ndaj Ukrainës po rritet me afrimin e dimrit.
Për këtë arsye, aleatëve u është kërkuar të shtojnë ndihmën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave.
Ajo nënvizoi se aleatët duhet të veprojnë menjëherë, pasi presioni nga sulmet ruse ndihet çdo natë në pothuajse çdo qytet të Ukrainës. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.