Mërgimi në Izrael: Gëzimi i njërit, vuajtja e tjetrit
Izraeli u krijua si vendi i hebrenjve, këtë e dëshmon historia e imigrimit në të.që nga themelimi e deri më sot. Por ndaj shumë refugjatëve vendi mbetet i mbyllur.
Por një gjë është e saktë: Atë ditë hebrenjtë festonin themelimin e shtetit të tyre që kishin kohë që po e prisnin. Po sot, 70 vjet dhe shumë luftëra më pas? A duhet kremtuar vërtet me kaq madhështi pëvjetori i themelimit të shtetit. Moshe Zimmermann ndalet për një hop dhe më pas thotë: “Gëzimi i njërit, dhimbja e tjetrit.”
Populli hebre “patjetër që ka arsye për të festuar,” thotë historiani në pension, dikur profesor në Universitetin Hebraik të Jerusalemit. Sepse në atë kohë, pas tmerreve të papërfytyrueshme të Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore, Izraeli ishte një strehë për ata që në vitet e mëparshme kishin arritur disi të mbijetonin dhe me luftrat e kishin humbur besimin në atdheun e tyre të deriatëhershëm. Në vitet e para shumë refugjatë vinin nga Europa. Shumë prej tyre kishin ndenjur me muaj të tëra në kampe të përkohshme.
Por jo të gjithë kishin arsye për të festuar, thotë Zimmermann. “Popullsia e Palestinës e ka vuajtur këtë”. Për ta kjo ditë do të thotë fillimi i ikjes dhe dëbimit të tyre.” Menjëherë pas themelimit, shtetet arabe fqinje i shpallën luftë Izraelit, i cili në vitin 1949 e deklaroi të vetin territorin e ri. Fitorja u shoqërua me një “evakuim masiv”, thotë historiania gjermano-izraelite, Tamar Amar-Dahl. Si përfundim, deri në fund të luftës u dëbuan ose u larguan nga vendi 750 000 palestinezë. Amar Dahl, e cila është pedagoge në Freie Universität Berlin, është e mendimit se ata ishin “viktima të mirëfillta” historie.
Çfarë mbeti, qe një vend me më pak banorë, në të cilin, sipas Zimmermann-it, jetonin rreth gjysmë milioni hebrenj dhe 100 000 arabë. 90 për qind e hebrenjve ishin asokohe hebrenj europianë, shumica prej tyre nga Europa Lindore. Këta, sipas historianit, kishin përjetuar në vendet e prejardhjes nacionalizmin shumë agresiv, shpesh anti-semit të fillimit të shekullit të 20-të: “Që atëherë lindi dëshira e përdorimit të dhunës në reagimin e kombit hebraik”. Zimmermann flet për një “nacionalizëm luftarak hebraik”, të cilin e sollën imigrantët dhe që vazhdon të jetë ende mbizotërues.
Refugjatët jo hebrenj të padëshiruar?
Zimmermann dhe Amar-Dahl përshkruajnë Izraelin si një shtet që mirëpret imigrantët hebrenj që ka rekrutuar dhe rekruton deri më sot Izraeli. Por Izraeli është armiqësor ndaj refugjatëve dhe imigrantëve të tjerë. Vetëm hebrenjtë mund të pranohen si refugjatë “, thotë Zimmermann. Kjo prek sidomos palestinezët, të cilët prej shumë brezash shpresojnë të kthehen në atdheun e tyre. Gjithashtu të prekur janë refugjatët nga Afrika që kërkojnë strehim në Izrael.
Veçanërisht shumë prej tyre vijnë aktualisht nga Eritrea e izoluar në Afrikën Lindore. Shteti izraelit ka aversion ndaj tyre, thotë Zimmermann. Midis 40 000 dhe 60 000 refugjatë të ashtuquajtur “ilegalë” jetojnë aktualisht në Izrael – shpesh në kampet e punës së detyruar. Këta janë njerëz të cilët kryeministri Benjamin Netanjahu i quan “futës”. Izraeli, siç parapëlqen të nënvizojë Netanjahu po përpiqet t’i nxjerrë ata jashtë vendit. Izraeli nuk është teokraci, por një vend që kryesisht kupton veten si parësisht vendin e hebrenjve, thotë historiania Amar-Dahl. “Kjo është arsyeja shtetërore e tij:”
Që nga themelimi i shtetit hebrenjtë janë të mirëpritur. Kjo është përcaktuar në të ashtuquajturën Ligj riatdhesimi, i cili u jep mundësi njerëzve me prejardhje hebreje që të kthehen në Izrael. Në vitet 1950 dhe 1960 u shpërngulën kështu në Izrael shumë hebrenj nga Afrika e Veriut, Iraku, Egjipti dhe Irani. Shkaqet e tyre janë të shumëllojshme, thotë Amar-Dahl. Disa syresh u kishin dëshirën e motivuar për shkaqe fetare që të ktheheshin në tokën e hebrenjve. Të tjerë ishin të nxitur nga frika se konfliktet midis Izraelit dhe shteteve arabe përreth mund të përbënin rrezik për jetën dhe statusin e tyre atje. “Sigurisht, shtysë për emigrimin e shumë hebrenjve arabë në drejtim të Izraelit ishte edhe nacionalizmi i viteve 1950 dhe 1960 në vendet arabe”, thotë Amar-Dahl.
Emigracioni e ndryshoi vendin, thotë Zimmermann: Shoqëria që më parë dominohej nga imigrantët dhe refugjatët nga Europa nisi të bëhej më e larmishme. Që nga mesi i viteve 1960 afro gjysma e popullsisë izraelite është afro-aziatike.
Pas disa valësh imigracioni në vitin 1990 vijoi “Revolucioni demografik”. Bashkimi Sovjetik ua kishte ndaluar hebrenjve emigrimin. Por mbas rrëzimit të Bashkimit Sovjetik gati një gysmë milioni hebrenj u shpërngulën në Izrael – dhe e transformuan vendin sërish. Prej sot tetë milionë izraelitëve një në tetë janë nga ish-Bashkimi Sovjetik, thotë Zimmermann. Njerëz, që i sollën dhe vazhdojnë t’i ruajnë kulturën dhe gjuhën e tyre. Kështu nëpër rrugë dëgjon shumë shpesh të flitet rusisht meqë shumë prej shtetasve të rinj nuk kanë aq dëshirë të mësojnë hebraishten sikurse imigrantët e hershëm.
“Emigrimi në Izrael megjithatë nuk është aq i madh”
A po përjeton Izraeli tani sërish një valë migrimi, këtë radhë nga hebrenjtë e Europës, që po largohen nga një antisemitizëm që ka filluar të çelë në Europë? Zimmermanni e mohon këtë. “Antisemitizëm ka në Europë, kjo nuk vihet në dyshim, por emigrimi në Izrael megjithatë nuk është aq i madh sa i pëlqen ta deklarojë qeveria izraelite. Pjesa tjetër është propagandë izraelite”. Zimmermanni mendon se hebrenjtë që nuk e ndiejnë më veten të sigurt në Europë preferojnë të emigrojnë në Kanada ose SHBA. Shkaku: “Forca joshëse e Izraelit është zbehur”, thotë Zimmermann. Izraeli është në konflikt të përhershëm me shtetet fqinje dhe Europa nuk është më e ngjashme me kontinentin e pasluftës, në shumë pjesë të së cilës ekonomia dhe shoqëria duheshin ndërtuar nga e para.
Historiania Amar Dahl kujton zhvillimin e konfliktit të Lindjes së Afërme që nga kthesa e mijëvjeçarit dhe numëron Intifadën e Dytë, luftërat e Gazës si edhe luftën e Libanit. Mund të shtonte edhe konfliktin e Sirisë dhe grindjen me Iranin. Nuk është fort e sigurtë, thotë historiania, nëse Izraeli është me të vërtetë ai port aq i sigurt që ka qenë në vitet e para të themelimit të tij.