Merkel në Tiranë për herë të parë, pritet në aeroport nga një delegacion qeveritar
Kancelarja gjermane Angela Merkel mbërriti sot në Tiranë, e para vizitë e një zyrtari të lartë, e konsideruar me rëndësi historike në marrëdhëniet dypalëshe.
Avioni me të cilin udhëtonte zonja Merkel, u ul në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” rreth orës 13.36, ku u prit nga zv/kryeministri Niko Peleshi.
Më pas, kancelarja gjermane, nën masa të rrepta sigurie, po i drejtohet qendrës së kryeqytetit, drejt selisë së Kryeministrisë, ku do të pritet me nderime të larta shtetërore.
Pas takimit kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama, axhenda e vizitës së Merkel vijon me takimin mes dy delegacioneve, e cila do të pasohet nga konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Merkel. Rreth orës 16.15 kancelarja gjermane do të pritet nga presidenti Bujar Nishani.
Ndërsa rrugët që të çojnë në drejtim të kryeqytetit janë të dekoruar me flamuj gjermanë dhe shqiptarë
.
Kjo është vizita e parë bilaterale e një kreu të lartë të qeverisë gjermane në Shqipëri. Stacionet e tjera të udhëtimit të Merkel janë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.



