Bota

Merkeli e të Gjelbrit – vlerësime të ndryshme për negociatat për qeverinë

Dy javë pas fillimit të negociatave për një koalicion qeveritar midis CDU/CSU, FDP dhe të Gjelbërve kancelarja Merkel u shpreh optimiste për shanset e suksesit.

Në deklaratën e saj të parë zyrtare për negociatat me CSU,FDP dhe të Gjelbrit, kryetarja e CDU-së, kancelarja Angela Merkel tha se negociatat që pret ditët e ardhshme vërtet do të jenë të vështira. “Por unë vazhdoj të besoj se do të mund t’i bashkojmë fundet (e problemeve), po të mundohemi dhe përpiqemi”.

Secili nga partnerët duhet të ketë mundësi të shprehë në negociata identitetin e tij, në mënyrë që të lindë diçka e mirë për Gjermaninë. “CDU-ja sido që të jetë është e gatshme për këtë.” Në këtë fushë e sheh ajo etapën tjetër të bisedimeve. Lajtmotivi i saj për to është “që sot të krijojmë parakushtet që të mund të jetojmë mirë në Gjermani edhe pas dhjetë vjetësh”, tha Merkeli. Pjesë të kësaj janë punësimi, “puna e mirë”, siguria sociale, siguria e brendshme, integrimi dhe përmbushja e përgjegjësisë ndërkombëtare, për shembull në luftimin e arsyeve të migrimit. Për CDU-në tema veçanërisht të rëndësishme janë familja dhe arsimi.

Kancelarja Merkel u shpreh kështu para një takimi me drejtuesit e negociatave për vazhdimin e mëtejshëm të tyre. Pas takimit me shefin e CSU-së, Horst Seehofer, shefin e FDP-së, Christian Lindner dhe dyshen e të Gjelbërve Cem Özdemir dhe Katrin Göring-Eckardt, në Shoqërinë Parlamentare Gjermane është parashikuar edhe një raund disa orësh bisedimesh të ekipeve të mëdha negociatore, për të bërë një bilanc të momentit.

“Një program sportiv”

Politikani i Gjelbër, Jürgen Trittin e akuzoi CDU, CSU dhe FDP që në bisedimet për qeverinë janë afruar pak me qendrimin e partisë së tij. Në një intervistë me ARD-në ai bëri një bilanc të errët të bisedimeve të deritashme. “Ne kemi ndenjur dhjetë ditë së bashku dhe kemi dymbëdhjetë tema. Rezultati janë tetë dokumente me lista të gjata mosdakordimesh,” tha Trittin. “Dhe në katër fusha as nuk kemi arritur që të biem dakord se për se nuk jemi dakord”. Që këto dallime qendrimesh të eleminohen në dy javët e ardhshme, është për të “padyshim një program sportiv”. Ai pyet veten, nëse Merkeli e ka të qartë, që duhet të mbështesë në pika qendrore qëndrimin e të Gjelbërve, për të arritur një koalicion të ri qeveritar.

Njëra nga temat më të debatueshme për të Gjelbrit është tema shumë e rëndësishme e mbrojtjes së klimës. “Ne kemi burimet më të mëdha të dioksidit të karbonit në Evropë, pjesërisht në botë. Këto janë termocentralet me qymyr, dhe ata duhet të reduktohen”, tha Trittini.

Kryeministri i Gjelbër i Baden Vyrttembergut, Winfried Kretschmann paralajmëroi për rrezikun e dështimit të bisedimeve. Alternativa janë zgjedhjet e reja, tha Kretschmann në radion Südwestfunk. “Dyshoj nëse zgjedhjet e reja janë alternativë më e mirë. Nuk mund ta bëjmë këtë popull të votojë deri sa të na pëlqejë ne”, tha ai.

Sekretarja e përgjithshme e FDP-së, Nicola Beer i sheh shanset për formimin e qeverisë edhe më tej 50 me 50. Te tema polemike e bashkimit familjar për refugjatët duhet të sqarohen faktet, tha ajo. “Të Gjelbrit thonë se me bashkim familjar do të vijnë në Gjermani 60.000 persona të tjerë, shifrat e qeverisë gjermane flasin më tepër për 600.000 vetë dhe midis tyre dallimi është i madh”, tha Beer.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button