Merr formë kompleksi modern i Partizanit, fusha e re me bar artificial drejt përfundimit
Partizani pritet të bëjë një tjetër ndërhyrje në kompleksin e tij stërvitor, këtë herë në fushën që ndodhet përpara stadiumit. Gjatë këtyre ditëve parashikohet të nisë shtrimi i saj me bar artificial, një investim që do t’i shtojë klubit një tjetër hapësirë për zhvillimin e seancave stërvitore, por edhe ndeshjeve të moshave.
Kjo fushë do të jetë një alternativë më shumë për skuadrën në përditshmërinë e saj, duke zgjeruar mundësitë për organizimin e stërvitjeve. Punimet pritet të nisin në ditët e ardhshme, ndërsa projekti është pjesë e ndërhyrjeve që po kryhen në ambientet e klubit për përmirësimin e kushteve infrastrukturore.
Ndërkohë, zhvillime pozitive ka edhe për dy hapësirat e tjera kryesore. Fusha stërvitore me bar natyral dhe stadiumi i kanë përfunduar punimet, ndërsa në javët në vazhdim pritet të bëhet edhe kompletimi i tyre me detajet e fundit. Kështu, Partizani po shkon drejt përmbylljes së një procesi të rëndësishëm ndërhyrjesh në infrastrukturë.
Përfundimi i punimeve në stadium dhe në fushën me bar natyral, së bashku me shtrimin e fushës së re me bar artificial, do t’i japin klubit kushte më të mira për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Në këtë mënyrë, përveç objektivave në fushën e lojës, klubi kryeqytetas po punon edhe për përmirësimin e ambienteve ku skuadra zhvillon përgatitjet e përditshme. Pritet që në javët e ardhshme të kompletohen të gjitha ndërhyrjet e parashikuara, duke i dhënë Partizanit një infrastrukturë më të plotë për vazhdimësinë e sezonit.
PANORAMASPORT.AL



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.