Çudi shqiptare, 26-vjeçari lë Tomorin për shkak të punës si mësues: Nuk më përshtaten oraret
Një tjetër histori e pazakontë nga futbolli shqiptar. Këtë herë protagonist është sulmuesi beratas Daniel Lirëza, i cili, ndonëse ishte një nga futbollistët më të rëndësishëm të Tomorit në këtë kampionat, është detyruar të largohet nga skuadra për një arsye sa të çuditshme, aq edhe paradoksale. Një rast që meriton të përfshihet në rubrikën e “Çudirave Shqiptare”, ku futbolli ynë vazhdon të prodhojë histori të vështira për t’u besuar.
Lirëza nuk është larguar për arsye sportive, për mungesë forme apo për ndonjë konflikt të zakonshëm, por sepse orari i stërvitjes së skuadrës nuk përputhej me atë të punës së tij si mësues i edukimit fizik. Sulmuesi 26-vjeçar ka një histori të gjatë me Tomorin, skuadrën e qytetit të tij, ku debutoi në moshën 17-vjeçare, si një zbulim i trajnerit të mirënjohur beratas Kristaq Mile. Gjatë karrierës së tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për beratasit, ndërsa ka provuar edhe eksperienca me skuadra të tjera të njohura të Kategorisë së Dytë.
Por ky sezon i ka rezervuar një surprizë të hidhur. Siç rrëfen vetë për “Panorama Sport”, fillimi i punës në arsim u kthye në një pengesë për vazhdimin e karrierës te Tomori. Orari i stërvitjeve në mesditë përkonte me orarin e tij të punës dhe, pavarësisht përpjekjeve, nuk u gjet një zgjidhje që t’i mundësonte të vazhdonte të ishte pjesë e skuadrës. Një situatë që e ka zhgënjyer thellësisht sulmuesin, i cili e konsideron largimin si mungesë respekti për kontributin e dhënë.
PRONONCIMI I DANIEL LIRËZËS: “Aktualisht nuk jam më pjesë e Tomorit dhe kjo më ka trishtuar shumë. Jo vetëm për mënyrën se si ndodhi largimi, por mbi të gjitha sepse e konsideroj një mungesë respekti për mënyrën se si u trajtua rasti im. Është një situatë e veçantë, por edhe banale, nëse analizon me imtësi arsyen që çoi në largimin tim. Konkretisht, fillova punë si mësues i edukimit fizik në një nga shkollat në rrethinat e Beratit.
Ky ishte një hap i rëndësishëm për mua në aspektin profesional, por edhe ekonomik, pasi të gjithë kemi përgjegjësi familjare dhe na intereson siguria financiare. Mirëpo, ndërsa u gëzova për punësimin në arsim, aty nisi edhe problemi me Tomorin. Skuadra zhvillonte stërvitjet në orarin e mesditës, pikërisht kur unë isha në marrëdhënie pune.
Në këto kushte, nuk u mor parasysh asnjë mundësi për të gjetur një zgjidhje lehtësuese, çka solli përfundimisht largimin tim nga klubi. Kjo më ka zhgënjyer jashtëzakonisht shumë. E konsideroj një mungesë respekti dhe vlerësimi për kontributin që kam dhënë për Tomorin. Megjithatë, kjo vendimmarrje e pazakontë më ka lënë një shije të hidhur dhe një zhgënjim maksimal.
Në fund, u detyruam ta zgjidhnim kontratën me mirëkuptim të përbashkët, edhe pse ky konsensus erdhi i imponuar nga rrethanat. Tashmë jam në kontakte me disa skuadra të njohura të Kategorisë së Dytë, me synimin për të nënshkruar në merkaton e janarit si futbollist i lirë.
Nuk mund të shkëputem nga futbolli për arsye të tilla. Pavarësisht gjithçkaje, më vjen mirë që mosha dhe eksperienca ime kanë bërë që disa skuadra të interesohen për shërbimet e mia. Prioritet për mua është Naftëtari”, ka përfunduar rrëfimin e tij ekskluziv për “Panorama Sport” sulmuesi beratas Daniel Lirëza.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.