Keshilla

Meshkujt, specat djegës dhe testosteronet

A ju pëlqejnë ushqimet pikante? Nëse po, ju mund të përfitoni nivele të larta të testosteroneve. Të paktën kështu thuhet nga një studim i ri francez

Jeni nga ata meshkuj që e përlani çdo pjatë me erëza apo salcë pikante? Mund të jeni më hamshor sesa ata që nuk i duan specat djegës. Sipas një studimi të Universitetit të Grenoble (Francë), ekziston një lidhje e fortë mes preferencës së një mashkulli për ushqimet pikante dhe niveleve të tij të testosteronit, hormonit që rregullon sjelljen seksuale mashkullore, të lidhur me tipare të tilla si agresiviteti dhe prirja drejt rrezikut.

Shijimi për kënaqësi

Grupi i studiuesve vuri 144 meshkuj nga mosha 18 deri 44 vjeç përballë një pjate me pure patatesh pa erëza. Vullnetarëve iu dha mundësia që ta shijonin atë sipas dëshirës, me kripë dhe salcë pikante. Pas vaktit, subjektet duhet të jepnin një kampion pështyme: kush kishte përdorur më shumë salcë pikante, tregoi nivele më të larta të testosteroneve në qarkullim sesa pjesëmarrësit e tjerë (ndërkohë që preferenca për kripën nuk ka treguar asnjë lidhje me hormonin). Rezultatet u publikuan në revistën “Physiology and Behaviour”.

“Jo” konkluzioneve të nxituara

Lidhja mes preferencës për capsaicin (përbërësi aktiv që e bën pikant specin djegës) dhe nivelet e larta të testosteroneve është më se e qartë, por, shpjegojnë studiuesit, gjithsesi bëhet fjalë për një korrelacion dhe jo një lidhje shkakësore. Pra, është herët që të thuhet se kjo e dhënë ka një kuptim ose është një koincidencë e thjeshtë.

Dashamirët e rrezikut

Konsumimi i capsaicinës ndikohet nga një seri faktorësh me karakter fiziologjik, psikologjik, gjenetik dhe social. Një mundësi është se, konsumimi i rregullt i një ushqimi pikant kontribuon në rritjen e nivelit të testosteroneve (një fakt që deri më tani është demonstruar shkencërisht vetëm te minjtë). “Por studimi është gjithashtu në linjë me hulumtimet që kombinojnë nivelet e larta të testosteroneve me prirjen drejt ‘rrezikut’ seksual dhe atë të sjelljes”, shpjegon Laurent Begue, një nga autorët e kësaj çështjeje. Në këtë rast, meshkujve me shumë “testosteron” do t’u shtohej rreziku i ekzagjerimit me pikantet.

Shikojeni si guxim

Një tjetër shpjegim i mundshëm është se disa vullnetarë e braktisën salcën thjesht për të bërë një figurë të bukur dhe për t’u veçuar nga grupi. Tjetra dihet se, kush ka nivele të larta testosteronesh ka një shpirt më të ashpër konkurrence.

Veti të tjera të specave djegës

Specat djegës mbrojnë nga sëmundjet kardiovaskulare, zvogëlojnë rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjet në tru, dhe reduktojnë ndikimin negativ të kolesterolit të keq. Është provuar shkencërisht se specat djegës ulin presionin e gjakut dhe relaksojnë enët e gjakut. Studimet kanë treguar po ashtu se capsaicina te specat pikantë vret qelizat e kancerit.

Ato gjithashtu kanë veti antiinflamatore, madje rekomandohen në rastet e kollës. Lehtësojnë edhe dhembjet reumatizmale. Për këtë gjë mjafton që të zbusni disa speca djegës me pak alkool për disa minuta dhe përbërjen ta aplikoni te vendi i dhembjes. Përveç kësaj, ushqimi me erëza pikante mund t’ju çojë drejt reduktimit të peshës trupore, duke djegur shumë kalori. Ndërkaq, specat djegës stimulojnë prodhimin e serotoninës, hormonit që i bën njerëzit të ndihen mirë. Prandaj, ata janë të dobishëm për luftën ndaj depresionit.

Burimi: Revista “Focus”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button