Mesila Doda largohet nga PD: Është kthyer në parti klienteliste
Mesila Doda nuk është më pjesë e Partisë Demokratike. Deputetja ka konfirmuar përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale largimin e saj nga grupi parlamentar demokrat.
Ajo thotë se PD ka humbur boshtin e saj dhe është shndërruar në një parti klienteliste.
“Largohem me keqardhje nga një parti që e krijuam bashkë me studentë dhe pedagogë 25 vjet më parë, por që sot e shoh të rithemeluar larg kontekstit, boshtit dhe qëllimit politik për të cilin u krijua. Tash është klientelizmi mbret i situatës se re dhe shpresoj fort që njerzit politikë që ende po rezistojnë edhe për pak, të arrijnë të kthjellojnë individët përgjegjës për dëmin e madh që po shkaktojnë. Shpresoj që edhe ky largim do i shërbejë vendimarrësve partiakë të kenë një qasje tjetër ndaj figurave të vërteta politike, burra e gra të mençura që i shoh shpesh kur fyhen, anashkalohen, anatemohen e sulmohen me dhe pa intriga, për të vetmen arsye sepse ende nuk kanë pranuar kodin e heshtjes dhe pranimin e disfatës së radhës”, shkruan ajo.
Doda shpjegon arsyet e ftohjes me grupin drejtues të partisë, që nis që nga qëndrimet e mbajtura për armët kimike, heqjen e mandateve të grave si pikënisje e procesit të denoncimit të penetrimit të krimit në Parlament, kërkesa publike për ruajtjen e mandateve të grave paralmentare dhe dekriminalizimi me çdo kusht i Kuvendit, refuzimi i bojkotit dhe hapjen e dosjeve.
Kulmi i përplasjes së Dodës me kreun e Grupit Parlamentar demokrat, ka mbërritur kur deputetja shkeli vendimin politik të Partisë Demokratike duke votuar pro heqjes së mandatit për deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku.
“Por, qysh kur unë votova në përputhje me ndërgjegjen time njerëzore e politike për heqjen e një imuniteti, erdhi radhazi edhe përjashtimi im nga fushata e Tiranës, përjashtimi nga struktura parlamentare me urdhër personal të kryetarit të grupit”, sqaron Doda.