Meta i prerë për “plotfuqishmërinë”: Unë dua ta blindoj këtë proces nga ana Kushtetuese
Presidenti Ilir Meta ka folur hapur në lidhje me dhënien e plotfuqishmërisë, duke deklaruar se ai mban përgjegjësi ligjore ashtu sikundër edhe qeveria për paktin e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe se qëllimi i tij është ta “blindojë” procesin nga ana Kushtetuese.
Deklarata u dha këtë mbrëmje në “Studio e Hapur”, teksa vetë Kreu i Shtetit deklaroi se i ka kthyer sërish kërkesën Ministrisë së Jashtme, duke shtuar se ka shumë elementë ligjorë të cilët janë lënë pa plotësuar nga ana e qeverisë, përsa i përket platformës negociuese që kërkon dhe ”bekimin” e Kreut të Shtetit.
Meta është “ngacmuar” nga gazetarja Vasili, e cila ka thënë se duket sikur Presidenti kërkon të zvarrisë çështjen. Në përgjigje Meta është shprehur se të gjitha veprimet ederitanishme të Presidencës janë bërë me qëllim që i gjithë procesi të blindohet ligjërisht.
Meta: Unë mbaj përgjegjësi ligjore për këto zgjedhje mos harroni!
Vasili: Duket sikur doni ta zvarrisni…
Meta: Unë dua që këtë proces ta blindoj nga pikëpamja kushtetuese. Veprimet e Presidencës e të Presidentit kanë qenë më të shpejtat më të mundshme. Ne kemi angazhuar jo vetëm stafin e Presidencës por edhe kualitetet më të mira të kësaj fushe.
Vasili: Ju mendoni se Ministria nuk di ta lexoj vendimin e Kushtetueses…
Nuk kam pse ta paragjykoj, ajo po i mbahet asaj hap pas hapi. Për mua është e rëndësishme të ecim sa më shpejt.