Meta: Italia mbështetëse në vijën e parë e integrimit në BE të Europës Juglindore
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në kuadër të vizitës që po zhvillon në Itali, u prit nga kryetari i Komisionit të Politikave të BE-së në Senatin Italian, Vannino Chiti, me të cilin bisedoi për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Kryeparlamentari Meta, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandalur të Italisë për Shqipërinë në procesin e integrimit, vlerësoi se ky vend anëtar i BE-së, është gjithnjë mbështetëse në vijën e parë për integrimin europian të Europës Juglindore.
Meta vuri në dukje gjithashtu përpjekjet e vendit tonë për avancimin e axhendës së pesë prioriteteve, duke u fokusuar në reformën kyçe, atë të sistemit të drejtësisë.
Kryetari i Komisionit të Politikave të BE-së, Chiti vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë, siç u evidentuan edhe në progres-raportin e fundit të KE-së. Pasi vuri në dukje miqësinë tradicionale italo-shqiptare, ai theksoi se Italia do të qëndrojë gjithnjë pranë Shqipërisë për avancimin e axhendës evropiane të vendit tonë dhe të të gjithë rajonit.
Meta dhe Chiti diskutuan gjithashtu edhe mbi zhvillimet rajonale duke ndarë bindjen se takimet trilaterale mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, i shërbejnë forcimit të dimensionit europian të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë drejtim, Chiti bëri një vlerësim të veçantë për përqasjen konstruktive dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s gëzon me të gjithë fqinjët e saj. Kjo përqasje, vuri në dukje Chiti, merr një rëndësi të veçantë veçanërisht në këto momente sfidash për sigurinë europiane.
Në përfundim Meta vlerësoi përkushtimin dhe vëmendjen e veçantë që Italia i kushton gjithë rajonit tonë si një vend anëtar i BE-së gjithnjë në vijën e parë të integrimit europian të Europës Juglindore. Në këtë kuadër, u ra dakord për intensifikimin e marrëdhënieve ndërparlamentare veçanërisht përmes komisioneve parlamentare të integrimit dhe të çështjeve europiane.